Këto nuk janë pamje nga një film aksion, por kjo ngjarja ka ndodhur në Shkup edhe atë në qendër tregtare.
Kjo këtu është hapësira ku janë dëgjuar të shtënat me armë zjarri rreth orës 15 në QT “East Gate” ku kanë ngelur të plagosur dy persona, raporton gazetarja Almedina Ismajli TV21.
Policia ende po e heton rastin dhe thonë se pas kësaj do të dalin me informacione më të detajuara.
“Sot (24 tetor) nga Qendra Tregtare “East Gate” në Shkup është raportuar se është shtënë me armë në drejtim të dy personave të cilët janë plagosur dhe janë dërguar për trajtim mjekësor në spital. Në vendngjarje janë ekipet e policisë dhe po merren masa për zbardhjen e rastit”, thonë nga MPB.
Drejtori i spitalit të Qytetit “Shën Naumi i Ohrit”, Luben Arsenkov në një deklaratë për TV21 përmes telefonatës tha se njëri nga të plagosurit është në gjendje të rëndë shëndetësore dhe se ndaj tij po kryhet ndërhyrje kirurgjike, ndërsa personi tjetër është shtruar në Klinikën Torakale.
“Janë sjellë dy pacientë me plagë nga gjuajtja në pjesën e stomakut, kafazit të kraharorit, në pozicione të ndryshme. Njëri pas kontrolleve fillestare është dërguar në Klinikën Torakale, tjetri menjëherë është futur në sallë të operacionit.
Në çfarë gjendje shëndetësore janë?
Për momentin po bëhet ndërhyrja, nuk mund të flas në prognoza rreth zhvillimeve, megjithatë bëhet fjalë për dëmtime serioze, të komplikuara në pjesën e stomakut dhe kafazit të kraharorit”, tha Luben Arsenkov – drejtor i Spitalit të qytetit Shën Klimenti i Ohrit.
Nga East Gate Mall thonë se incidenti ka ndodhur në ambientet nëntokësore të objektit, ndërsa thonë se puna vazhdon në mënyrë normale dhe se objekti punon normalisht deri në orën 22:00
.
Jozyrtarisht bëhet fjalë për një përballje mes dy grupeve mafioze dhe thuhet se sërish është shtënë në drejtim të Rade Trajkovskit – Shtekli.
Një ngjarje e tillë ka ndodhur edhe në fund të muajit gusht, kur persona të panjohur nga një automjet kanë qëlluar në drejtim të një personi tjetër, pikërisht në parkingun e kësaj qendre tregtare.
