18.8 C
Skopje
E mërkurë, 29 Prill, 2026

I pari i Kuçovës dënohet me 9 muaj burg nga GjP

Kryebashkiaku i Kuçovës, Kreshnik Hajdari dënohet me 9 muaj burg nga Gjykata e Posaçme. Togat e zeza e shpallën fajtor për falsifikim të dokumenteve dhe mos deklarimin e një dënimi të marrë në shtetin grek në vitin 1999 për kalim të paligjshëm të kufirit.

Për shkak të gjykimit të shkurtuar, kryebashkiaku i Kuçovës dënohet me 6 muaj burg. Trupa gjykuese e GJKKO, vendosi që dënimi për të, të konvertohet me 150 orë punë në komunitet. Në seancë i pranishëm ishte dhe vetë Hajdari, por në dalje nga gjykata nuk pranoi të komentonte vendimin.

Por avokati i tij, Theodhori Sollaku deklaroi se ky vendim nuk ndikon në ushtrimin e detyrës së klientit të tij dhe verdikti i trupës gjykuese do të apelohet në shkallën e dytë të Gjykatës së Posaçme.

Kreshnik Hajdari ngjiti për herë të parë shkallët e SPAK në Nëntor të vitit të shkuar. Sipas prokurorisë së posaçme autoritetet greke konfirmuan se Hajdari është dënuar me masë riedukuese nga Gjykata e Janinës për kalim të paligjshëm të kufirit. Ai i ka mohuar më herët akuzat duke pretenduar se nuk kishte dijeni. Megjithatë, KQZ nuk ia ndërpreu mandatin Kreshnik Hajdarit si kryebashkiak i Kuçovës.

Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi tha se vepra penale për kalim të paligjshëm të kufirit për të cilën është dënuar, nuk është një pengesë ligjore për të marrë një funksion publik, si rrjedhojë Kreshnik Hajdari, nuk ka pasur detyrimin për ta deklaruar në formularin e dekriminalizimit.

 

 

Burimi / Klan News

Të ngjajshme

Të fundit