Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut i ngarkuar për çështje ekonomike, koordinim me departamentet ekonomike dhe investime, Fatmir Bytyqi ka takuar sot Eduardas Borisovas, ambasadorin e sapoemëruar të Republikës së Lituanisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, me seli në Zagreb.
Ambasadori i sapoemëruar Borisovas e informoi zv.kryeministrin Bytyqi për rrugën e integrimit evropian të Lituanisë dhe përvojën e saj pozitive me këtë proces, mbi të gjitha në fushën e ekonomisë, e cila u vlerësua nga bashkëbiseduesit si një përvojë që mund të përdoret për proceset integruese evropiane të Maqedonisë së Veriut.
Në takim u theksua nga të dyja palët se marrëdhëniet e shkëlqyera politike ndërmjet Lituanisë dhe Maqedonisë së Veriut duhet të jenë bazë për hapjen e një epoke të re në marrëdhëniet ndërmjet vendeve në drejtim të zhvillimit të marrëdhënieve ekonomike, promovimit të tregtisë dhe rritja e besimit ndërmjet komuniteteve të biznesit.
Energjia, me theks të veçantë në kalimin në burimet e rinovueshme të energjisë, teknologjitë inovative dhe industria e TIK-ut u vlerësuan si sektorë në të cilët ka mundësi të mira dhe reale për thellimin e lidhjeve ekonomike mes dy vendeve.
