Kuvendi sot do ta mbajë mbledhjen e 95-të, në rend dite të së cilës janë 32 pika, në mesin e të cilave edhe Propozim ligji për realizimin e buxhetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut për vitin 2023, me procedurë të shkurtër.
Përveç se për këtë propozim ligjor, deputetët do të debatojnë edhe për ndryshimet e ligjeve për ndërmarrje publike dhe për punësim dhe sigurim në rast të papunësisë, për ndryshime dhe plotësime të ligjeve për mbrojtje të popullatës nga sëmundjet ngjitëse, për tatimin e të ardhurave personale dhe për TVSH, si dhe për vendimin për shpërndarjen e mjeteve mes shfrytëzuesve të buxhetit.
Në rend dite të mbledhjes, me procedurë të shkurtër, janë edhe propozimet për ndryshim të ligjeve për dokumente të udhëtimit, për shtesë rinore dhe për shujtë të subvencionuar për studentë.
Deputetët, mes tjerash, do të duhet t’i shqyrtojnë edhe propozimet për ratifikimin e disa marrëveshjeve me BE-në dhe me vendet nga Ballkani Perëndimor dhe Evropa Juglindore, si dhe për zgjedhjen e anëtarit të Këshillit Kombëtar për Arsim të Lartë dhe Veprimtari Shkencore-Hulumtuese.
