2.8 C
Skopje
E enjte, 21 Nëntor, 2024

“SMS” porositë e BDI drejtuar Mickoskit duhet të publikohen

Së fundmi, u publikuan lajme për një komunikim të pretenduar mes kryeministrit Hristijan Mickoski dhe përfaqësuesve të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), shkruan POPULLI.mk

Kryeministri i RMV, Mickoski pohoi se posedon disa “sms” porosi nga BDI që sipas tij, në këto mesazhe, BDI opozitare ka shprehur gatishmërinë për t’u futur në qeveri në këmbim të një pjesëmarrjeje të ndjeshme në pushtet.

Mickoski aludoi se përfshirja e BDI-së do të kërkonte gjysmën e fuqisë ekzekutive që aktualisht ka VLEN, duke ndezur debat publik rreth transparencës dhe marrëdhënieve politike të partive.

Nga ana tjetër, BDI nuk e pranon këtë pretendim dhe përgënjeshtron çdo nismë të tillë për një bashkëpunim të tillë përmes kanaleve të fshehta. Nga BDI deklaruan se Mickoski, nëse vërtet posedon këto “sms” mesazhe, duhet t’i bëjë publike për të dëshmuar vërtetësinë e pretendimeve të tij. Ata theksojnë se çdo bashkëpunim duhet të jetë transparent dhe të bëhet në frymën e demokracisë dhe të respektit për qytetarët, duke i përjashtuar veprimet që mund të nënkuptojnë prapaskena të fshehta.

Këtë e ka pohuar edhe zv.kryeministri i parë, Izet Mexhiti shumë kohë më parë se nga BDI janë pajtuar që të marrin vetëm pak resore për t’u futur në Qeveri.

Kjo situatë ka ngjallur një interes të madh publik për arsyet dhe qëllimet prapa këtyre pohimeve. Publiku kërkon që Mickoski këtë çështje ta ndriçojë duke bërë publike provat e tij, nëse ato ekzistojnë vërtet, për të ruajtur integritetin dhe besueshmërinë tek popullata.

E gjithë kjo ngjarje nënvizon rëndësinë e transparencës në qeverisje dhe krijon pritshmëri për një qëndrim të qartë dhe publik nga liderët për të shmangur keqinterpretimet dhe spekulimet politike. / © POPULLI.mk

Të ngjajshme

Të fundit