Zgjedhja e Televizionit Klan Kosova për të futur ish-bashkëshortin e Drenusha Latifit, Atilla Kardesh në programin e famshëm “Big Brother VIP Kosova” ka shkaktuar një reagim të fortë në publik, veçanërisht për shkak të sfondit të dhunës familjare që lidhet me këtë rast, shkruan POPULLI.mk
Kjo vendimmarrje e diskutueshme është vënë nën kritika të ashpra për promovimin e dhunës, ndërsa i është dhënë një platformë një personi të akuzuar për dhunë ndaj ish-partneres së tij.
Drenusha Latifi ka folur hapur për përvojat e saj të dhimbshme, duke treguar se është dhunuar disa herë nga ish-burri i saj. Për këto raste ajo ka bërë denoncime në polici disa herë e poashtu edhe ka folur haptazi në mediume, duke kërkuar mbrojtje dhe drejtësi. Situata bëhet akoma më e rëndë kur përfshihen edhe fëmijët e tyre, të cilët, sipas rrëfimeve, kanë qenë dëshmitarë të disa akteve të dhunës ndaj nënës së tyre.
Ekzistojnë fotografi se Latifi ka qenë disa herë e gjakosur si rezultat i dhunës që ka pësuar, ndërkohë që Klan Kosova vendosi të ftojë në “Big Brother VIP” ish-bashkëshortin e saj, duke e vendosur atë përballë viktimës së tij në një përballje publike.
Ky veprim nuk përbën vetëm një vendim të papërgjegjshëm, por mund të shihet si një formë e drejtpërdrejtë e promovimit të dhunës për qëllime të audiencës dhe klikimeve.
Mediat kanë një përgjegjësi të jashtëzakonshme për t’u kujdesur që të mos përdorin trauma personale për qëllime komerciale. Vendime të tilla jo vetëm që e ekspozojnë viktimën ndaj stresit dhe traumës, por gjithashtu dërgojnë një mesazh negativ për publikun, duke normalizuar dhe trivializuar dhunën në sferën publike. / © POPULLI.mk
