16.8 C
Skopje
E mërkurë, 12 Mars, 2025

Kurti: Kosova ngjitet për 10 vende në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit

Kosova ka shënuar përparim të ndjeshëm në luftën kundër korrupsionit, duke u ngritur për 10 vende në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International, krahasuar me vitin e kaluar. Që nga marrja e drejtimit të qeverisë nga kabineti aktual, vendi është ngjitur për 31 vende në këtë indeks ndërkombëtar, informon POPULLI.mk

Kryeministri Albin Kurti ka vlerësuar këtë sukses si një dëshmi të përpjekjeve të qeverisë për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin. “Ky është rankimi më i mirë ndonjëherë për Kosovën (73 nga 180 vende) dhe vlerësimi më i lartë (44 nga 100 pikë) në këtë indeks,” theksoi ai.

Sipas Kurtit, kjo rritje tregon se masat kundër korrupsionit po japin rezultate konkrete dhe po marrin vlerësime ndërkombëtare. Ai shtoi se përmirësimi i imazhit të Kosovës në arenën ndërkombëtare është një fitore për shtetin dhe qytetarët.

“Me luftim të korrupsionit fiton shteti e qytetarët, e bashkë me ta edhe imazhi i vendit tonë, i cili çdoherë e më shumë po përmirësohet, e Republika përherë e më shumë po lartësohet,” deklaroi kryeministri Kurti.

Ky përmirësim konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt forcimit të institucioneve dhe integrimit evropian të Kosovës.

Të ngjajshme

Të fundit