Paralelisht me procedurën juridike për ndalimin dhe paraburgimin e Asmir Jahoskit, pronarit të “Pucko Petrol”, si një ndër të dyshuarit në procedurën hetimore për importin e mazutit kancerogjen, në opinion zhvillohet debati partiak, me akuza dhe kundërakuza se cila parti më shumë ka bashkëpunuar dhe ka pasuruar këtë kompani.
Falë LSDM-së dhe BDI-së, “Pucko Petrol” brenda një viti ka arritur t`i rrisë të ardhurat për 40% – akuzojnë nga VMRO-DPMNE
Sipas partisë në pushtet, rritja e pronës së “Pucko Petrol” ka ndodhur gjatë periudhës së Qeverisë së Zoran Zaevit, kur Ministër i Shëndetësisë ka qenë Venko Filipçe.
BOJAN STOJANOVSKI – VMRO DPMNE
“Pikërisht në këtë periudhë, sipas informacioneve publike, “Pucko Petrol” në vitin 2021 ka patur të ardhura të përgjithshme prej 48 milion e 133 mijë euro, 40% më shumë se sa në vitin 2020. Për shkak të qeverisjes së këtillë të Zaevit bashkë me Filipçen dalin në sipërfaqe pasojë ta rënda për buxhetin e shtetit dhe paratë e qytetarëve. Erdhi koha për përgjegjësi për biznese të këtilla në kurriz të popullit.”
VMRO-DPMNE ta pyes Vesna Janevskën se sa e ka përforcuar “Pucko Petrolin” me tenderët e Ministrisë – thuhet në reagimin me shkrim të LSDM-së, pas press-konferencës së deputetit Stojanovski.
Sipas socialdemokratëve, institucione dhe komuna që udhëhiqen nga VMRO-DPMNE kanë nënshkruar mbi 170 marrëveshje për tenderë me kompaninë e njëjtë.
Përmes dokumenteve, LSDM-ja ka bërë publike marrëveshjen e arritur më 31 dhjetor 2024 midis Ministrisë së Arsimit dhe “Pucko Petrol” me vlerë 40 mijë euro.
LSDM
“Nuk hyjmë në lojërat e brendshme të DPMNE-së, por le ta sheh Bojan Stojanovski se për sa e ka përforcuar Vesna Janevska profitin e “Pucko Petrol” dhe të përgjigjet se sa para të qytetarëve kanë përfunduar tek kjo kompani falë DPMNE-së dhe Kryetarëve të tyre të Komunave, Ministrave dhe Drejtorëve të institucioneve?”
Prokuroria dje ka dorëzuar ankesë për arrestin shtëpiak të Asmir Jahoskit. Ai ishte ndaluar në aksionin për keqpërdorime gjatë furnizimit me mazut për Termocentralin “Negotino”.
Nga kompania “Pucko Petrol” përmes një komunikate kategorikisht kanë hedhur poshtë çfarëdo implikime me furnizimet me mazut.
Kjo kompani ka përgënjeshtruar se ka qenë importues dhe furnitor me mazut për EMV-në, kurse sulmin ndaj tyre e vlerësojnë si përpjekje tendencioze për të cënuar imazhin e kompanisë dhe familjes. /tvklan.mk