25.4 C
Skopje
E mërkurë, 17 Qershor, 2026

Konkurs publik nga Ministria e Ekologjisë – 229 milionë denarë për mjedis më të pastër

Ministri i Ekologjisë, Izet Mexhiti, ka shpallur sot Konkursin publik për ndarjen e mjeteve nga Programi për Investime në Mjedis për vitin 2025, me një fond total prej 229 milionë denarësh. Ky program ka për qëllim financimin e projekteve që ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së mjedisit jetësor, me fokus në ujin e pastër, tokën e shëndetshme, mbrojtjen e biodiversitetit dhe rritjen e vetëdijes publike, informon POPULLI.mk

Mjetet do të ndahen në këto drejtime:

  • 100 milionë denarë për ndërtimin e kanalizimeve dhe pastrimin e ujërave të zeza,

  • 100 milionë denarë për përmirësimin e sistemit të ujësjellësit,

  • 10 milionë denarë për projekte kërkimore dhe arsimore,

  • 19 milionë denarë për aktivitete edukative dhe vetëdijesim mbi mjedisin.

Ministri Mexhiti bëri thirrje publike për komunat, OJQ-të, institucionet arsimore dhe shkencore, si dhe individët apo organizatat me ide inovatore, që të aplikojnë në konkurs. Ai theksoi rëndësinë e përfshirjes së kompanive startup dhe të sektorit të IT-së, për të sjellë zgjidhje moderne dhe kreative në ruajtjen e mjedisit.

Afati për aplikim është 3 javë nga dita e sotme, ndërsa formularët janë të disponueshëm në faqen zyrtare të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

“Suksese të gjithëve dhe faleminderit që kujdeseni për mjedisin!”, përfundoi mesazhin e tij ministri Mexhiti. / © POPULLI.mk