1.8 C
Skopje
E enjte, 26 Mars, 2026

MPB kërkon takim informativ, ambasadori Kuçi: Besoj në drejtësi, transparenca është rruga përpara

Ambasadori i Maqedonisë së Veriut në Norvegji, Driton Kuçi, ka reaguar pas raportimeve se ai është në mesin e të dyshuarve në hetimin për zjarrin tragjik në diskotekën “Pulse” në Koçan, informon POPULLI.mk. 

Në një deklaratë publike, Kuçi njoftoi se përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Brendshme kanë kërkuar një takim informativ me të në banesën e tij në Shkup.

“Sot familja më informoi se përfaqësues të MPB-së kanë qenë në shtëpinë time në Shkup, duke kërkuar një takim informativ”, shkruan Kuçi.

Duke u shprehur i bindur në pafajësinë e tij, ambasadori theksoi se gjithmonë ka vepruar me ndershmëri dhe transparencë. “Nuk kam asgjë për të fshehur dhe gjithmonë kam zgjedhur të veproj me ndershmëri dhe qetësi, edhe kur rrethanat kanë qenë të vështira”, tha ai.

Kuçi theksoi se me fluturimin e parë do të kthehet në Shkup për të bashkëpunuar me drejtësinë. “Nuk kthehem për t’u sqaruar, por për të konfirmuar se transparenca dhe besimi janë rruga e vetme përpara.”

Ai përmbylli reagimin e tij me fjalët: “Jam këtu. Me ndërgjegje të qetë, i pastër dhe vullnet të palëkundur, para Zotit dhe ligjeve të vendit!”

Driton Kuçi është një nga emrat që përmendet në hetimet e zgjeruara të Prokurorisë për zjarrin tragjik në diskotekën “Pulse”, ku humbën jetën 61 persona dhe mbi 200 të tjerë u plagosën. / © POPULLI.mk

Të ngjajshme

Të fundit