7.8 C
Skopje
E diel, 22 Dhjetor, 2024

ANSH me deklaratë mbështetëse/ Lulëkuqja me katër petale të bëhet simbol i përkujtimit të gjenocidit në Kosovë

ANSAMBLI SHTETËROR I KËNGËVE DHE VALLEVE POPULLORE
SHQIPTARE NË REPUBLIKËN E MAQEDONISË SË VERIUT

DEKLARATË MBËSHTETËSE
Që lulëkuqja me katër petale të bëhet simbol i përkujtimit të gjenocidit në Kosovë

Ansambli Shtetëror i Këngëve dhe Valleve Popullore Shqiptare në Republikën e Maqedonisë së Veriut, si institucion që promovon vlerat e mirëfillta artistike të popullit shqiptar, ka ndjekur me vëmendje të madhe kërkesën që lulëkuqja me katër petale të bëhet simbol i përkujtimit të viktimave të gjenocidit në Kosovë.

Lulëkuqja paraqet në tërë botën me shekuj të tërë, simbol përkujtimi dhe nderimi për të gjithë heronjtë që dhanë jetën në shërbim të idealeve të larta njerëzore dhe që nga Lufta e Parë Botërore (1914 – 1918) luan një rol të madh në historinë e datave përkujtimore.
Edhe tek kombi shqiptar e posaçërisht në luftërat e përgjakshme, ajo ka zënë vend madje është shndërruar shpesh në himn lirie! Kështu në këngë “Lulëkuqja e Kosovës” ka simbolizuar Ganimete Tërbeshin, apo “Lulëkuqja e Koshares” ka identifikuar Mujdin Aliun! Valle të shumta janë ndërtuar mbi bazën e simbolit „lulëkuqe“ që paraqet rezistencë, flijim, vuajtje, gjak të derdhur e shpresë për liri dhe jetë!

Ansambli Shtetëror i Këngëve dhe Valleve Popullore Shqiptare në RMV mbështet fushatën e inicuar nga veprimtari e intelektuali Bardhyl Mahmuti dhe Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e hapur” që ai drejton, për të shndërruar lulëkuqen me katër petale në simbol unik të përkujtimit të viktimave të gjenocidit që shkaktoi Serbia në Kosovë.

“Ata që harrojnë të shkuarën janë të destinuar t’u përsëritet historia“ andaj vetëm duke memorizuar historinë tonë për brezat e rinj do të arrijmë ta ruajmë kujtesën kolektive plot dhembje e krenari me uratat që ajo mos përsëritet kurrë!

Në aspektin përmbajtësor dhe artistik, Ansambli Shtetëror i Këngëve dhe Valleve Popullore Shqiptare në Republikën e Maqedonisë së Veriut konsideron se “Lulëkuqja me katër petale” do të ishte simboli më i qëlluar zyrtar për të përkujtuar gjenocidin në Kosovë.

Prandaj, urojmë që më 15 janar, në Ditën e përkujtimit të viktimave të gjenocidit në Kosovë, “Lulëkuqja me katër petale” të bëhet simbol zyrtar i tragjedisë sonë kombëtare të shkaktuar nga Serbia gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Me respekt
Drejtor i Ansamblit
Shkodran Tolaj

Të ngjajshme

Të fundit