Në lidhje me informacionet e fundit mbi përkeqësimin e situatës së sigurisë në Lindjen e Mesme dhe mbylljen e hapësirës ajrore të disa vendeve në rajon, Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) dhe Tregtisë së Jashtme në RMV u bën thirrje të gjithë qytetarëve të vendit që ndodhen në territoret e vendeve në këtë rajon të ndjekin portalet kombëtare të emergjencës dhe të veprojnë në përputhje me udhëzimet e institucioneve kompetente në këto vende.
“Njëkohësisht, u bëjmë thirrje edhe një herë të gjithë qytetarëve tanë që të përmbahen nga udhëtimet në vendet në këtë rajon, derisa situata e sigurisë të përmirësohet. Përveç thirrjes së mëparshme drejtuar të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut që banojnë në Izrael për të kontaktuar Ambasadën në Tel Aviv, u bëjmë thirrje edhe qytetarëve të vendit që ndodhen në Katar dhe Emiratet e Bashkuara Arabe të kontaktojnë ambasadat kompetente në Doha dhe Abu Dhabi për të gjitha informacionet ose pyetjet e nevojshme”, thuhet në njoftimin e MPJ-së.