Tre aeroplanë transporti të Forcave Ajrore të Jordanisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) sot hodhën 25 ton ndihma humanitare mbi Rripin e Gazës për popullsinë që lufton për mbijetesë për shkak të urisë dhe kequshqyerjes.
Ministri i Jashtëm i Emirateve të Bashkuara Arabe, Abdullah bin Zayed, njoftoi dje se vendi i tij do të rifillonte menjëherë shpërndarjen e ndihmës ajrore, duke thënë se situata humanitare në Gaza kishte arritur në një “fazë kritike dhe të pashembullt”.
Bëhet e ditur Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) lëshuan sot një deklaratë ku thuhej se “një pauzë taktike lokale në aktivitetet ushtarake do të vendoset për qëllime humanitare nga ora 10:00 e mëngjesit deri në orën 20:00, duke filluar nga sot”.
Ndryshe, në një deklaratë, ushtria izraelite tha se do të caktojë gjithashtu rrugë të sigurta për të ndihmuar agjencitë e ndihmës të shpërndajnë ushqim dhe furnizime të tjera për njerëzit në të gjithë Gazën.
Kritikat ndërkombëtare, përfshirë ato nga aleatët e ngushtë, janë rritur pasi shumë palestinezë janë vrarë në javët e fundit ndërsa përpiqeshin të arrinin në vendet e shpërndarjes së ushqimit.
