3.8 C
Skopje
E premte, 27 Shkurt, 2026

Krizë e rëndë humanitare në Sudan, rreth 900 mijë civilë jetojnë nën rrethim të plotë dhe pa asnjë akses në ushqim

Krizë urie nuk ka vetëm në Gaza, por edhe në Sudan. Qyteti al Fashir në Darfurin e Veriut është kthyer në epiqendrën e një katastrofe të rëndë humanitare, ku rreth 900 mijë civilë jetojnë nën rrethim të plotë dhe pa asnjë akses në ushqim apo ndihmë mjekësore. Prej më shumë se 14 muajsh, qyteti është izoluar nga Forcat e Mbështetjes së Shpejtë, të cilat kanë bllokuar çdo rrugë furnizimi dhe kanë ndaluar hyrjen e ndihmave humanitare. Situata është përkeqësuar ndjeshëm që prej prillit, kur u bastis kampi i të zhvendosurve Zamzam, 12 kilometra në jug të qytetit, duke bllokuar përfundimisht rrugën e fundit të furnizimit për al Fashirin. Qindra mijëra njerëz të shpërngulur ndodhen tani në periferi të qytetit, pa asnjë ndihmë. Sipas organizatës Mjekët pa Kufij, normat e kequshqyerjes janë katastrofike dhe uria është tashmë e konfirmuar në të paktën pesë zona. Kuzhinat e komunitetit janë shpresa e fundit për mijëra njerëz që jetojnë me një vakt në ditë, kryesisht qull sorgumi. Familjet përdorin ushqimin e mbetur të kafshëve për të mbijetuar, ndërsa situata vazhdon të përkeqësohet çdo ditë.

“Ishte një konvoj i OKB-së, me 15 kamionë që u përpoq të arrinte në fillim të qershorit. Nuk mundi dhe në atë moment u vranë pesë persona, pesë punonjës ndihmash. Dhe që atëherë, asnjë konvoj tjetër nuk ka arritur”, deklaroi Mathilde Simon, Mjekët pa Kufij. /Alsat.mk

Të ngjajshme

Të fundit