20.4 C
Skopje
E mërkurë, 10 Qershor, 2026

Omer Ajdini jep dorëheqje nga Aleanca për Shqiptarët

Omer Ajdini, deri më tani Sekretar për Marrëdhënie me Jashtë në Aleancën për Shqiptarët, ka njoftuar se nuk është më pjesë e kësaj partie. Në një reagim publik, Ajdini ka theksuar se nuk mund të pajtohet me drejtimin që ka marrë partia, duke e cilësuar zhgënjyes dhe të kundërt me idealet fillestare, informon POPULLI.mk

Ai ka kritikuar ashpër vendimin e lidershipit të ASH-së për të mbështetur Erkan Arifin në Likovë, pas – siç tha – tetë viteve të keqqeverisjes së tij dhe dy dekadave të BDI-së.

“Kam pranuar të jem Sekretar për Marrëdhënie me Jashtë, edhe përkundër angazhimeve të shumta profesionale, vetëm e vetëm që ta ndërtonim një parti shprese për ndryshim. Por shpresën time e kthyen në zhgënjim, ëndrrat tona i shtypën me të dyja këmbët. Kjo nuk është partia që unë kam shpresuar ta shoh”, ka deklaruar Ajdini.

Ai theksoi se nuk është më as pjesë e Aleancës për Shqiptarët dhe as e ndonjë partie tjetër, ndërsa theksoi se “ASH-ja e vërtetë” për të do të mbetet ajo organizatë që dikur bashkoi të rinjtë në idealet për ndryshim dhe luftën kundër të keqes.

“Unë atë që e kam pështy nuk e lëpij, për asnjë çmim dhe me asnjë justifikim. Politika para së gjithash kërkon fytyrë dhe moral, dhe unë këtë nuk jam në gjendje t’ia fal askujt”, përfundoi Ajdini.

Të ngjajshme

Të fundit