32.5 C
Skopje
E shtunë, 1 Gusht, 2026

A e sabotoi Taravari cenzusin në Gostivar, që pas dy muajve të garojë vetë për kryetar komune!?

 

Zgjedhjet për kryetar komune në Gostivar pritet të mbahen pas dy muajve, por nuk dihet nëse në garë do të mbeten kandidatët e njëjtë. Burime tona brenda ASH të Arben Taravarit, bëjnë të ditur se vetë kreu i kësaj partie ka shfaqur ambicje që në garë të hyjë vetë dhe të tërheq Valbon Limanin i cili në zgjedhjet e rregullta nuk arriti cenzusin prej 33.3% . Nga të njëjtat burime mësojmë se në radhët e partisë ka edhe dilema për shkaqet e vërteta të mos sigurimit të cenzusit për shumë pak vota, ndërsa një pjesë e strukturave dyshojnë se vetë Taravari me rrethin e tij të ngushtë ka sabotuar daljen në çastet e fundit. Ata thonë se bëhet fjalë për 20-30 vota mungesë, të cilat nuk ka qenë aspak problem të sigurohen, por dikush i ka lënë qëllimisht mangur që të krijojë mundësi për ndryshim të kandidatit. Këto dyshime janë forcuar pas zërave që janë paraqitur ndaj Valbon Limanit duke thënë se ai nuk ka arritur të nxisë mobilizim të mjaftueshëm dhe se “nevojitet të garojë vetë Taravari që dalja të jetë më e madhe”.
Nga ana tjetër, këto dyshime kanë lindur edhe shumë më herët, që nga caktimi i kandidatëve të zgjedhjet e rregullta. Burime brenda partisë bëjnë të ditur se në mbledhjen e fundit të organeve partiake, kur të gjithë prisnin zyrtarizimin e kandidaturës së Valbon Limanit, vetë Taravari ka thënë se ka kërkesë nga krerët e AKI që ai personalisht të kandidojë në Gostivar. Por pas këtij fjalimi, Limani është kërcënuar se do të garojë edhe i pavarur nëse ka nevojë dhe se nuk tërhiqet nga kandidimi i cili ishte bërë publik shumë më herët sesa të fillojë zyrtarizimi i kandidaturave. Pas këtij kërcënimi të Limanit, Taravari është tërhequr dhe ka pranuar kandidimin e U.D. kryetarit të Komunës, por strukturat partiake dyshojnë se ai në prapaskenë ka sabotuar Valbon Limanin, duke dështuar cenzusin për shumë pak vota. Kjo pritet të mësohet ditëve në vazhdim, pasi kryetari i Parlamentit Afrim Gashi të shpall zgjedhjet dhe të fillojë afati për dorëzimin e kandidaturave.