12.8 C
Skopje
E shtunë, 7 Mars, 2026

Berisha: PD do të mbështesë çdo nismë për zhdëmtimin e pasojave nga përmbytjet

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ngriti sot shqetësimin në lidhje me përmbytjet e shkaktuara si pasojë e reshjeve të dendura të shiut.

Në një konferencë për mediet, Berisha tha se moti dhe korrupsioni kanë pasur efekte shkatërrimtare këtë javë mbi pronat e mijëra qytetarëve.

“Moti dhe korrupsioni në sinergji, në bashkëveprim, kanë pasur këtë javë efekte shkatërrimtare mbi pronat e qindra dhe mijëra qytetarëve shqiptarë në të katër anët e vendit. Dëmet janë kolosale jo vetëm në infrastrukturën, të cilat mediat i kanë paraqitur gjerësisht, por janë mijëra kokë bagëti, janë qindra hektarë sera, janë infrastrukturë e vogël e fshatrave, të rrënuara si asnjëherë në mote më parë”, u shpreh Berisha.

“Investimet janë në të katër anët e vendit në sistemin e kanalizimeve, por kanalet janë të mbyllura, janë të mbushura, dhe ato nuk ka kush t’i hapë sepse paratë për mirëmbajtjen e tyre vetëm vidhen”, tha Berisha.

Berisha tha gjithashtu se skarpatet e maleve janë lënë që të rrëshqasin, pasi nuk kanë pasur përforcime duke sjellë si shembuj rrugën Qukës- Qafë Plloçë, Kardhiq-Delvinë, Rruga e Arbrit, Korçë-Ersekë.

“Ndërkohë skarpatet shumë herë më problematike, më të larta se këto që u shembën, të ngritura 15 vite më parë në Rrugën e Kombit, në autostradën Levan-Tepelenë, në autostradën Tepelenë-Gjirokastër, dhe në autostrada të tjera të ndërtuara 13-15 vite më parë, skarpatat nuk kanë lëvizur, ndonëse ato rrugë janë ndërtuar me një çmim nga 6 deri në 10 herë më të lirë se sa këto që shemben”, tha Berisha.

“Një vjedhje e tmerrshme, e paimagjinueshme, sepse ndonëse është shpenzuar 6-fishi, 8-fishi, 10-fishi sipas rrugës në ndërtimin e një kilometri, skarpatat janë lënë që të rrëshqasin, asnjë lloj përforcimi i këtyre skarpateve. Skarpateve janë pjesë thelbësore, për të mos thënë se herë-herë edhe më të rëndësishme se traseja”, tha Berisha.

Berisha dënoi me forcë atë që e cilësoi qëndrimin e papërgjegjshëm të qeverisë ndaj kësaj situate.

“PD dhe grupi i saj parlamentar do të ndërmarrin të gjitha nismat për një mbështetje urgjente, për zhdëmtim të plotë të gjithë pasojave të moteve, të cilat në rast se do ishte mirëmbajtur infrastruktura e kanaleve, ato nuk do ndodhnin”, tha Berisha.

Të ngjajshme

Të fundit