Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha sot se protestuesit inauguruan dje misionin e ri të opozitës për shpëtimin e Shqipërisë.
Gjatë një konference për mediet, Berisha shprehu mirënjohjen për qytetarët që morën pjesë dhe theksoi se “kjo është një betejë në vazhdim”.
“Çdo shqiptar duhet ta ketë të qartë se kemi të bëjmë me një përballje për jetë ose vdekje të demokracisë shqiptare”, tha Berisha.
Sipas tij “shuarja e opozitës është shuarja e sovranitetit kombëtar të brendshëm”.
“Nuk mundet kurrë një bandë kriminale, e implikuar në aktet më të rënda, në pengmarrje, në zhdukje, në kontrolle të pamëshira të çdo të dhëne të qytetarëve shqiptare, në kontrolle të pamëshira të transaksioneve, nuk mundet kurrë ajo të asgjësojë sovranitetin e brendshëm të një kombi, të asgjësojë opozitën”, u shpreh Berisha.
Kreu i PD-së iu bëri thirrje qytetarëve që të përshkallëzojnë protestën deri në largimin e qeverisë dhe krijimin e një qeverie teknike.
“Beteja jonë vazhdon deri në fitore. I ftoj të jenë të gatshëm të përshkallëzojmë luftën, betejën tonë gjer në përmbushjen e misionit. Misioni ynë është largimi i kësaj qeverisje, qeveri teknike, zgjedhje të lira. Opozita në pushtet në mënyrë të pashmangshme”, tha Berisha.
