Të rinjtë kosovarë që po shkëlqejnë në shkencën mjekësore: Dorentina Zogun, Sead Ahmetaj dhe Verona Rrahmani në arenën ndërkombëtare
Dorentina Zogun nga Drenasi, Sead Ahmetaj nga Kamenica dhe Verona Rrahmani nga Prishtina po shënojnë një sukses të rëndësishëm shkencor duke marrë pjesë në Konferencën Ndërkombëtare të Shkencave Mjekësore 2026, me punime që trajtojnë tema me rëndësi të veçantë për shëndetin dhe kujdesin mjekësor bashkëkohor.
Punimi shkencor i realizuar nga Dorentina Zogun dhe Sead Ahmetaj me temë:
“Rehabilitimi i pacientëve pas operimit të protezave totale të gjurit dhe artroskopisë” trajton rëndësinë e rehabilitimit të strukturuar dhe profesional në rikthimin funksional dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së pacientëve pas ndërhyrjeve ortopedike.
Përveç prezantimit të punimit, Dorentina Zogun ka qenë gjithashtu paneliste në këtë konferencë, duke kontribuar në diskutime shkencore dhe duke ndarë përvojën e saj profesionale me pjesëmarrës nga vende të ndryshme.
Ndërkohë, Verona Rrahmani prezanton punimin e saj shkencor individual me temë:
“Rëndësia e recetës dhe sfidat e gabimeve mjekësore”, një studim që vë në pah sigurinë e pacientit, përgjegjësinë profesionale dhe sfidat reale të sistemit shëndetësor.
Këto arritje dëshmojnë përkushtimin, dijen dhe profesionalizmin e të rinjve nga Kosova, të cilët po e përfaqësojnë vendin me dinjitet në skenën shkencore ndërkombëtare. Puna e tyre është një shembull frymëzues i suksesit akademik dhe angazhimit serioz shkencor.
Ky sukses konfirmon se rinia kosovare është e aftë të konkurrojë në nivel ndërkombëtar, duke kontribuar me dije, etikë dhe profesionalizëm në zhvillimin e shkencave mjekësore.
