13.8 C
Skopje
E hënë, 23 Mars, 2026

Tramp njoftoi se SHBA-ja do t’i ndalë sulmet ndaj caqeve energjetike të Iranit

SHBA-ja thotë se do t’i  pezullojë sulmet ndaj centraleve dhe strukturës energjetike iraniane, për shkak të bisedimeve që presidenti amerikan i ka cilësuar si “frytdhënëse” me Teheranin. Donald Trump, bazuar në këto bisedime shprehet optimist për zgjidhje përfundimtare të konfliktit në Lindjen e Mesme.

“E kam udhëzuar Departamentin e Luftës që t’i pezullojë të gjitha sulmet ushtarake ndaj centraleve energjetike dhe infrastrukturës energjetike iraniane për një periudhë pesëditore, në varësi të suksesit të takimeve dhe diskutimeve në vazhdim”, deklaroi Donald Trump, president i SHBA-së.

*Kam urdhëruar departamentin përgjegjës t’i pezullojë të gjitha sulmet në pesë ditët e ardhshme

Por pavarësisht pretendimeve të Tramp për të ndaluar luftën, Izraeli sot ka sulmuar sërish Iranin. Ushtria izraelite njoftoi se po kryente sulme ndaj objektivave të regjimit iranian në “zemër të Teheranit”.

Bisedimet mes Uashingtonit dhe Teheranit u zhvilluan në kohën kur po rrjedh afati 48 orësh, i ultimatumit, që presidenti Tramp të shtunën i dha Iranit. Trump kishte kërcënuar se nëse brenda këtij afati, Irani nuk e hap plotësisht Ngushticën e Hormuzit, do të sulmonte dhe shkatërronte centralet e tij energjetike. Kjo nxiti kërcënime për kundërpërgjigje nga Garda Revolucionare e Iranit, i cili kërcënoi se nëse ndodhte një gjë e tillë, do t’i sulmonte centralet energjetike të Izraelit dhe ato që i furnizojnë bazat amerikane në rajonin e Gjirit.

Kujtojmë se së fundmi Irani, sulmoi me dy raketa balistike dy vendbanime të Izraelit, ku mbetën të plagosur rreth 180 persona. Sipas të dhënave të grupit iranian për të drejtat e njeriut, HRANA, që nga 28 shkurti kur filloi lufta në Lindjen e Mesme, u vranë më shumë se 3000 njerëz.

Lufta e SHBA-së dhe Izraelit, kundrejt Iranit, ka tronditur tregjet globale, ka rritur kostot e karburantit, ka nxitur frikë për inflacion global dhe ka lëkundur aleancën perëndimore të pasluftës./ Alsat.mk.

Të ngjajshme

Të fundit