Irani ka bërë të ditur se vazhdon të shkëmbejë mesazhe me SHBA-në përmes ndërmjetësuesve pakistanezë, ndërsa një delegacion i nivelit të lartë nga Pakistani pritet të vizitojë Teheranin, transmeton Anadolu.
Siç raporton agjencia shtetërore IRNA, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Iranit, Esmaeil Baghaei tha se “që nga e diela, kur delegacioni iranian u kthye në Teheran, janë shkëmbyer disa mesazhe përmes ndërmjetësit pakistanezë”.
Baghaei tha se Irani ka gjasa të presë një delegacion pakistanez sot ose nesër, pas bisedimeve që pala pakistaneze ka zhvilluar me SHBA-në. “Qëndrimet tona janë përcjellë dhe janë dëgjuar”, shtoi ai.
Për çështjen bërthamore, Baghaei tha se diskutimet për pasurimin e uraniumit nuk janë të reja dhe theksoi se “ka hapësirë për diskutim mbi llojin dhe nivelin e pasurimit”.
“Republika Islamike e Iranit duhet të jetë në gjendje të vazhdojë pasurimin bazuar në nevojat e saj kombëtare”, tha ai.
Këtë fundjavë, SHBA-ja dhe Irani zhvilluan bisedime të rralla të drejtpërdrejta në Islamabad me qëllim përfundimin e konfliktit të tyre, por ato përfunduan të dielën herët pa ndonjë marrëveshje.
