Drejtori i Entit Shtetëror për Pronësi Industriale (EShIP), Eljesa Neziri, ka shprehur mirënjohje pas vlerësimit të marrë nga Ministrja e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska, për rolin e tij në procesin e mbrojtjes së rubinit maqedonas si gur gjysmë i çmuar kombëtar, shkruan POPULLI.mk
Neziri theksoi se ky vlerësim përfaqëson një arritje të rëndësishme institucionale dhe profesionale, duke e cilësuar procesin si historik për vendin.
“Me krenari dhe mirënjohje pranova vlerësimin nga ministrja Bozhinovska për kontributin dhe mbështetjen e dhënë në mbrojtjen e rubinit maqedonas,” u shpreh Neziri.
Ai shtoi se suksesi është rezultat i bashkëpunimit të ngushtë institucional, përkushtimit profesional dhe vizionit të përbashkët për ruajtjen e vlerave autentike dhe natyrore të vendit.
Si drejtor i Entit Shtetëror për Pronësi Industriale, Neziri theksoi se ndihet i nderuar që ka qenë pjesë e një procesi që, sipas tij, i jep Maqedonisë së Veriut simbolin e parë mineral të mbrojtur zyrtarisht.
Në fund, ai falënderoi ministren Bozhinovska, ekipet profesionale të institucioneve përkatëse dhe të gjithë kontribuuesit në këtë nismë që, siç tha, ka rëndësi të veçantë për shtetin. / © POPULLI.mk




