Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, i është përgjigjur ashpër ish-ministrit të Jashtëm, Bujar Osmani, pasi ky i fundit sërish u ndal te çështja se çfarë është dhe çfarë nuk është pjesë e procesit negociues me Bashkimin Evropian.
Përmes një postimi në Facebook, Mucunski deklaroi se Osmani është “njeriu i fundit” që ka të drejtë të mbajë leksione për atë se çfarë është pranuar gjatë negociatave. Sipas tij, ish-ministri e di shumë mirë se për çfarë ka negociuar, çfarë ka pranuar dhe në çfarë gjendjeje e ka lënë shtetin.
Ai e ftoi Osmanin të mos e harxhojë energjinë duke, siç u shpreh, shtrembëruar faktet dhe duke interpretuar deklaratat e politikanëve të tjerë.
Mucunski theksoi se qëndrimi i Qeverisë aktuale lidhur me procesin negociues është i qartë dhe i pandryshuar që nga fillimi.
“Për më shumë se dy vjet dëgjojmë akuza se do të lëshojmë pe, do të heqim dorë dhe do të pranojmë gjithçka që është marrë vesh më parë. Në vend të kësaj, me vepra kemi dëshmuar qëndrueshmëri, parimësi dhe mbrojtje të qartë të interesave kombëtare maqedonase. Kjo sot është e qartë si për opinionin vendas, ashtu edhe për partnerët tanë ndërkombëtarë”, shkroi Mucunski.
Në reagimin e tij, ministri u ndal edhe te legjitimiteti politik i Osmanit. Ai tha se një politikan që nuk ka fituar besimin as të qytetarëve të Çairit dhe as të fqinjëve të tij, pas një rezultati të tillë zgjedhor, duhet të tregojë përgjegjësi politike dhe të tërhiqet nga skena politike, në vend që të vazhdojë të kritikojë dhe të mbajë leksione në publik.
Mucunski shtoi se qytetarët kanë kujtesë të mirë politike dhe e dinë se kush, sipas tij, e ka sjellë shtetin në gjendjen aktuale dhe kush tani po përpiqet t’i shmanget përgjegjësisë së vet.
Reagimi i ministrit vjen pasi Osmani ditë më parë komentoi deklaratën e Mucunskit se protokollet, përkatësisht procesverbalet e bisedimeve, nuk janë pjesë e Kornizës Negociuese me Bashkimin Evropian. përcjell Zhurnal.mk .




