10.8 C
Skopje
E mërkurë, 4 Nëntor, 2026

Nga nesër tërheqje deri në 20.000 denarë në Alta Bankë! Filipçe i bëri thirrje guvernatorit Sllaveski të japë dorëheqje

Banka Popullore, përmes një njoftimi drejtuar qytetarëve që kanë llogari në “Alta Banka SHA Bitola”, por nuk kanë kartela pagese, bën të ditur se nga nesër, më 5 nëntor, do të fillojë tërheqja e mjeteve nga sportelet në degën kryesore të bankës në Manastir. Nga atje thonë se qytetarët do të mund të tërheqin deri në 20.000 denarë.

“Pagesa do të jetë në dispozicion të qytetarëve, e veçanërisht të pensionistëve dhe përfituesve të ndihmës sociale, të cilët mjetet i marrin përmes llogarive transaksionale në bankë, por nuk kanë kartela pagese. Qytetarët do të mund të tërheqin deri në 20.000 denarë, që është shuma maksimale e lejuar për tërheqje në periudhë prej dy javësh. Nga 6 nëntori, duke përfshirë edhe të shtunën, më 7 nëntor, dega do të punojë në dy turne, me qëllim që t’u shërbehet një numri më të madh klientësh. Pagesa do të realizohet gjatë disa ditëve, sipas një orari, për të cilin qytetarët do të njoftohen përmes mesazhit SMS”, tha Banka Popullore.

Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, kërkoi që guvernatori Trajko Sllaveski të japë dorëheqje nga pozita drejtuese në Bankën Popullore. Edhe sot ai akuzoi se kjo bankë është e lidhur me kriminalitet dhe transaksione të dyshimta, ndërsa Sllaveski, së bashku me kryeministrin Mickoski, janë përgjegjës për shqetësimin dhe radhët e qytetarëve para bankës.

“Me qëllime të mira, sot i bëjmë thirrje guvernatorit Trajko Sllaveski që të japë dorëheqje. Të mos e zhysë edhe më shumë veten në këtë situatë ku tashmë është zhytur, të mos përpiqet në mënyrë të papërshtatshme që ta shpëtojë veten dhe kryeministrin Mickoski, i cili dukshëm është urdhërdhënësi i tij. Guvernatori po i drejtohet njëfarë shitjeje të aksioneve, megjithëse e vërteta është se as ai dhe as Banka jonë Popullore nuk mund t’i shesin aksionet”, tha Venko Filipçe

Në konferencën për shtyp të Filipçes reaguan nga VMRO-DPMNE, prej nga thonë se ai vetëm po përhap frikë dhe panik.

“As sistemi bankar në vend nuk është vënë në pikëpyetje, as nuk ka pakënaqësi, as shqetësim apo panik. Të vetmit që dëshirojnë të shkaktojnë artificialisht shqetësim dhe panik te qytetarët dhe mosbesim ndaj sektorit bankar dhe institucioneve shtetërore janë LSDM-ja dhe Venko Filipçe. Shteti, përfshirë edhe Bankën Popullore, po i ndërmerr të gjitha masat për mbrojtjen e interesave të shtetit, qytetarëve, depozituesve dhe investitorëve”

Para dy ditësh, nga LSDM-ja paralajmëruan se në Kuvend do të dorëzojnë interpelancë për guvernatorin Sllaveski, si dhe kërkesë për debat mbikëqyrës lidhur me rastin e Alta Bankës.