9.8 C
Skopje
E enjte, 5 Nëntor, 2026

Universiteti i Tetovës zgjeron bashkëpunimin ndërkombëtar me Sapienza të Romës në fushën e arkitekturës

Universiteti i Tetovës ka zgjeruar bashkëpunimin ndërkombëtar në fushën e arkitekturës, përmes një marrëveshjeje të re bashkëpunimi me Universitetin “Sapienza” të Romës.

Marrëveshja është nënshkruar më 27 tetor 2026 ndërmjet Fakultetit të Shkencave të Zbatuara, përkatësisht Departamentit të Arkitekturës të Universitetit të Tetovës, dhe Departamentit të Arkitekturës dhe Projektimit të Universitetit “Sapienza” të Romës.

Marrëveshja, e cila ka kohëzgjatje pesëvjeçare, krijon një kuadër për bashkëpunim në fushën e mësimdhënies dhe kërkimit shkencor. Në kuadër të këtij partneriteti parashikohen mundësi për shkëmbimin e stafit akademik, pjesëmarrjen në programe kërkimore dhe realizimin e publikimeve të përbashkëta.

Bashkëpunimi ndërmjet dy institucioneve universitare përfshin gjithashtu organizimin e konferencave, seminareve, studiove të përbashkëta të projektimit arkitekturor, shkollave verore dhe punëtorive praktike.

Nga Universiteti i Tetovës vlerësohet se ky partneritet përforcon orientimin e institucionit drejt ndërkombëtarizimit dhe zhvillimit të kapaciteteve kërkimore, ndërsa njëkohësisht synon të pasurojë përvojën arsimore dhe profesionale të studentëve.

Marrëveshja krijon gjithashtu mundësi për zhvillimin e mëtejshëm të ekspertizës dhe kontributit të stafit akademik të Universitetit të Tetovës, përmes bashkëpunimit me partnerë ndërkombëtarë dhe përfshirjes në projekte të përbashkëta.