Bashkëkryetarët e koalicionit VLEN, Izet Mexhiti dhe Bilall Kasami, kanë publikuar të njëjtin mesazh në rrjetet sociale, duke e cilësuar si historike mundësinë që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe.
Në postimet e tyre, Mexhiti dhe Kasami theksojnë se bëhet fjalë për një arritje të rëndësishme për studentët shqiptarë dhe për avancimin e barazisë gjuhësore në vend.
“Premtimi u bë realitet, jurisprudenca flet shqip! Një ditë historike për studentët shqiptarë dhe një hap i rëndësishëm për barazinë dhe dinjitetin e gjuhës shqipe. Fjalët marrin vlerë kur pas tyre qëndrojnë vepra. Sot kemi një arsye më shumë për të festuar! Studentë të dashur, ta gëzoni këtë të drejtë! Gëzuar Festat e Nëntorit”, thuhet në mesazhin e publikuar nga dy liderët e VLEN-it.
Ky reagim vjen në kohën kur çështja e dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe ka qenë në qendër të debatit politik në vend, ndërsa përfaqësuesit e VLEN-it e konsiderojnë këtë si realizim të një prej zotimeve të tyre ndaj qytetarëve shqiptarë. .




