9.8 C
Skopje
E martë, 10 Nëntor, 2026

Bytyqi: Çdo qytetar sot ka borxh 6.000 euro

Deputeti i LSDM-së, Fatmir Bytyqi, në seancën e sotme parlamentare akuzoi se ribalanci i dytë i Buxhetit për vitin 2026 është dëshmi e drejtpërdrejtë e planifikimit të gabuar dhe paaftësisë së pushtetit për të menaxhuar financat publike.

Bytyqi theksoi se për vetëm nëntë muaj, Qeveria ka ofruar tri konstrukte të ndryshme buxhetore me të njëjtën udhëheqje, ndërsa qytetarët përballen me rritje të borxhit publik, çmime më të larta dhe standard më të ulët jetese.

“Në korrik të vitit 2024, çdo qytetar i shtetit tonë, në bazë të borxhit publik, kishte borxh 4.674 euro. E përsëris, çdo qytetar, madje edhe fëmija që kishte lindur në korrik kishte borxh 4.674 euro. Sot, çdo fëmijë dhe çdo qytetar ka borxh 6.000 euro. Keni arritur që për më pak se dy vjet e gjysmë ta rrisni borxhin publik për banor me 1.400 euro”, deklaroi Bytyqi.

Ai paralajmëroi se këto shifra nuk përfshijnë të gjitha obligimet e arritura dhe të papaguara, as problemin me kthimin në kohë të TVSH-së, për të cilin, sipas tij, ka vërejtje edhe Komisioni Evropian, duke evidentuar probleme sistemore në pagesa.

Bytyqi theksoi gjithashtu se gjatë periudhës së qeverisjes së VMRO-DPMNE-së, çmimet në shitjen me pakicë janë rritur për më shumë se 22 për qind, ndërsa inflacioni vazhdon ta ulë standardin jetësor të qytetarëve.

“Çmimet në shitjen me pakicë i rritët për më shumë se 22 për qind. Inflacionin nuk po arrini ta frenoni nga muaji në muaj. Herë pas here jeni përpjekur të bëni manipulime shkollore, duke krahasuar muaj me muaj dhe duke thënë se në shtator inflacioni është 0,2 për qind krahasuar me gushtin. Por inflacioni vjetor në shtator është 3,3 për qind. Çfarëdo që të bëni, inflacioni është 3,6 për qind”, tha Bytyqi.

Ai paralajmëroi edhe për rrezikun e një krize të re energjetike, duke pyetur se si do të përballet Qeveria me goditje më serioze energjetike, kur edhe luhatjet më të vogla në tregun e naftës kanë prodhuar pasoja të tilla.

“Ju me pak lëkundje në çmimet e naftës kishit këto rezultate. Paramendoni çfarë do të ndodhë me probleme dhe goditje më të mëdha në sektorin e energjisë elektrike. Siç thoni edhe vetë, Zoti na ndihmoftë”, paralajmëroi Bytyqi.

Duke iu referuar projeksioneve buxhetore, ai theksoi se për vetëm nëntë muaj Qeveria ka hartuar tri versione të ndryshme të buxhetit, gjë që sipas tij tregon paqëndrueshmëri në planifikimin e financave publike.

“E vetmja gjë stabile në politikën ekonomike të kësaj Qeverie është paqëndrueshmëria e planeve të saj buxhetore dhe manipulimi me shifrat. Në dhjetor të vitit 2025 kjo Qeveri propozoi buxhet me të hyra prej 374 miliardë e 935 milionë denarësh, shpenzime prej 414 miliardë e 174 milionë denarësh dhe deficit prej 39 miliardë e 239 milionë denarësh. Vetëm shtatë muaj më vonë kërkoi rritjen e shpenzimeve dhe rritjen e deficitit në 46 miliardë e 264 milionë denarë, përkatësisht 4,1 për qind të BPV-së. Si ndodhi që deficiti për vetëm dy javë të ulej nga 4,1 në 3,9 për qind të BPV-së përmes rishikimit artificial të rritjes ekonomike për vitin 2024? Kjo është manipulim klasik shkollor. E vetmja gjë që ndryshon janë shifrat në letër, ndërsa realiteti ekonomik mbetet i njëjtë”, tha Bytyqi.

Ai shtoi se në korrik Qeveria e arsyetonte rritjen e deficitit me nevojën për investime kapitale shtesë, ndërsa tani po i ul pikërisht shpenzimet kapitale nga 45,9 në rreth 40 miliardë denarë.

“Shpenzimet kapitale po zvogëlohen nga 45,9 në 40 miliardë denarë, përkatësisht për pothuajse 5,8 miliardë denarë ose 12,5 për qind. Realizimi deri më 6 nëntor ishte vetëm 58 për qind. Në korrik merrni më shumë borxh kinse për investime, ndërsa tani investimet ulen, borxhi mbetet, ndërsa Qeveria vazhdon të flasë për zhvillim. Kur flisni për ribalanc, për rialokim apo për buxhet, mos i përmendni segmentet e autostradave që i realizon Ndërmarrja Publike për Rrugët Shtetërore. Ato nuk janë pjesë e këtij Buxheti. Në Buxhet nuk ka para për Korridorin 8, 10-d dhe Kërçovë-Ohër. Ka në NP për Rrugët Shtetërore dhe ato janë jashtë institucioneve buxhetore. Kur t’i shtojmë ato mjete në borxhin publik, do të shihet realiteti i vërtetë”, theksoi Bytyqi. përcjell Zhurnal.mk .