7.8 C
Skopje
E martë, 24 Mars, 2026

Qeveria si “magnet” po tërheq partitë opozitare, kjo dëmton boshtin opozitar dhe sistemin demokratik!

Çfarë dallon sistemi demokratik nga ai komunist në Maqedoninë e Veriut?, është pyetje e cila lehtë mund të parashtrohet në rrethanat në të cilat jemi. Zëri opozitar po rrezikon të shuhet e mos të dëgjohet fare, jo ngase po has në vesh të shurdhur por pasi nuk ka zë opozitar. Ajo që e dallon sistemin demokratik nga ai komunistë është fakti që në demokraci qeverisja buron prej popullit, pra populli ndikon në mënyrë të drejtpërdrejt në pushtet përmes përfaqësuesve që dërgon atje. Ndërkaq, komunizmi është sistem në të cilin një parti e vetme në mënyrë autoritare udhëheq me vendin, pa vullnetin e popullit dhe në këtë mënyrë edhe nuk përfaqëson edhe popullin. Prandaj, Qeveritë që burojnë prej popullit mund të quhen dhe janë demokratike, por asesi, dhe në asnjë mënyrë nuk mund të jenë të tilla Qeveritë që në përbërjen e tyre kanë parti politike partnere në mënyrë jo legjitime, në kuptimin e asaj që ato parti politike që nuk e kanë marrë verditiktin e popullit për të qeverisë me vendin e kur futen në Qeveri i bie që po e bëjnë këtë në mënyrë jo legjitime. Prandaj, në Maqedoninë e Veriut më shumë ngjanë se kemi një sistem me ideologji të përzier as komunist e as demokratik, por më e përshtatshme të quhet “sistem interesash klanore”, që për përfitime partiake rrënohen kauzat dhe pritjet e popullit, shkruan Zhurnal.

Në Maqedoninë e Veriut nuk ka pushtet – opozitë, as kritikë – bashkëpunim, ka vetëm interes për ndonjë ulëse në Qeveri-

Organizimet politike janë përmes të cilave funksionon edhe shteti, zgjedhjet janë mënyra përmes të cilave merret legjitimiteti për të qeverisur me vendin. Sistemi demokratik që ekziston në letër është pikërisht për këtë qëllim që populli në mënyrë të drejtpërdrejtë të jetë pjesëmarrës në pushtet dhe pushteti të burojë prej popullit nëpërmjet përfaqësuesve që dërgohen në Kuvend, e pastaj këta zgjedhin dhe votojnë edhe për kabinetin qeveritarë.

Por, në vendi tonë kjo demokraci në letër nuk shihet askund në vepër, pasi ka humbë kuptimin e orientimin fronti opozitar sepse me vrap dhe me inate garojnë se cila partia opozitare do të bëhet pjesë e pushtetit, pa çka se populli nuk ka dashur dhe nuk ka zgjedhur se këto të fundit të jenë qeverisin me vendin.

Në botën demokratike partitë opozitare janë atë që kritikojnë pushtetin dhe janë korrigjues të punëve që bëhen gabimisht e atyre që nuk bëhen fare, por në vendin tonë kjo gjë nuk po ndodhë. Pasi, partitë opozitare janë shndërruar në “qytetarë të papunësuar” që u vrapojnë partive në pushtet nëpër tubime e duatrokasin edhe nëse ofendohen vetëm e vetëm për të siguruar një vend pune. Po, me të njëjtën formë po veprojnë edhe këto parti që fjalët kritikuese ndaj pushtetit i kanë shndërruar në fjalë “sherbeti” që të jenë më të “ëmbël” e të zënë ndonjë ulëse më shumë në ekzekutiv.

Nuk ka betejë pushtet – opozitë, ka luftë opozitë – opozitë, që cila po futet e para në Qeveri-

Në vend të betejës mes pushteti dhe opozitës në vendin tonë është zhvilluar një luftë e hatashme dhe e ashpër mes partive opozitare se cila e para prej tyre po bëhet pjesë e pushtetit dhe cila siguronte më shumë pozita në mënyrë “jo legjitime” konsiderohej më e “suksesshmja”.

Shkak për devijim dhe çorientim opozitar është futja e Aleancës për Shqiptarët në këtë përbërje qeveritare, që është shumë e nxituar dhe aspak e nevojshme. Mbase në formën e njëjtë pati vepruar edhe Alternativa, parti e cila ende është pa identitet nuk dihet në realitet se është opozitare apo parti në pushtet, sepse shpesh herë ka tentuar ta luajë rolin e opozitarizmit prej përbrenda Qeverisë e që më shumë kanë reflektuar banalitet se sa seriozitet dhe nuk kanë prodhuar kurrfarë efekti apo rezultati.

Pastaj, dikur kryetari i Alternatives, thoshte fjalë “boshe” pa u menduar se nëse kishte qenë mes dilemës të bashkëpunojë me BDI-në apo të vdes pa mëdyshje kishte zgjedhur të vdes. Nëse shikohet hollësisht edhe ka të drejtë sepse edhe atë kohë vdekjen e kishte përmendur si simbolikë, dhe tani lirshëm mund të konstatohet për të njëjtin se “ka vdekur” sepse po të ishte i gjallë kishte nxjerrë ndonjë zë.

Aleanca për Shqiptarët ka qenë dera e qytetarëve të pakënaqur nga kjo kastër politike udhëheqësish, tani kjo derë mbyllet me hyrjen e ASH-së në Qeveri, dhe nuk po gjindet dot zgjidhje të këtij kaosi politik në vend të zgjidhjes po krijohen lidhje edhe më të pakuptimta dhe të ndërlikuara. Pra, kjo parti nuk ndryshoi vetëm kryetarin e saj, por ndryshoi edhe rrugën përmes të cilës ishte ndërtuar, sepse të ngritesh në nevojën e një ndryshimi në kampin politik shqiptarë e të përfundosh në “prehër” të partive politike kundërshtare për të cilat ke vlerësuar se janë të dëmshme për shqiptarët, kjo është e pakuptimtë dhe hipokrizi, që populli dinë ta vlerësojë më së miri.

Të gërditshme arsyetimet se hyrjet në Qeveri po i bëjnë për integrimin evropian-

Bashkimi Evropian në parim nuk ka nevojë për shtete në të cilat nuk funksionon demokracia. Dhe, këto parti politike të quajtura “opozitare” që vrapojnë pas pushtetit të futen nga dritaret në Qeveri sepse populli nuk i ka fut nga dera, nuk sigurojnë dhe nuk garantojnë funksionimin demokratik në vend, përkundrazi e rrezikojnë demokracinë në palcë që mundësojnë krijimin e kushteve për rikthim të “monarkisë” apo “komunizmit” që parti të njëjta të qeverisin me vendin.

Populli nuk duhet të mashtrohet me “mjegulla” që këto parti opozitare po tentojnë t’i shesin, partitë që nuk kanë fuqi në elektoratin e tyre janë të pafuqishme të garantojnë stabilitet dhe rrugëtim evropian. Fundja, nëse janë për Bashkim Evropian këtë mund ta bëjnë nga opozita kanë të drejtë vote si për ndryshime Kushtetuese si dhe për gjithçka tjetër. Por, nuk e kanë hallin e integrimit e kanë hallin të kaçin kulaçin qeveritar, atë që nuk ua dha populli në zgjedhje ta marrin vetë tani pas zgjedhjeve.

 

Në fund të fundit tani vetëdija e qytetarëve është në nivelin e duhur dinë të vlerësojnë e të kuptojnë situatat dhe lojërat e “pista” politike që bëhen në emër të kauzave evropiane. Prandaj edhe tingëllojnë si të gërditshme arsyetimet e asaj natyre, që po futen në Qeveri vetëm për integrim evropian, thua ti se futja e tyre në Qeveri do të ndryshojë edhe politikat e BE-së, ndërkaq, kur sheh “takatin” e tyre kupton që këto nuk mund të ndryshojnë politikat lokale e të ndihmojnë integrimin evropian është e pabesueshme e palogjikshme dhe e pamundur të ndodhë në praktikë. Prandaj, hapur dhe qartë kuptohet që hyrjet e partive opozitare në përbërje qeveritare ndodhin vetëm për interesa reciproke, interes i pushtet që të zgjatë jetën dhe të shuaj zërin opozitar, interes i opozitës të shuaj etjen e të rehatojë ndonjë militantë partiak. /Zhurnal.mk

Të ngjajshme

Të fundit