13.8 C
Skopje
E mërkurë, 18 Nëntor, 2026

BDI: VLEN-i, nga mungesa e rezultateve, po e shndërron propagandën dhe shpifjen në instrument të veprimit politik

BDI akuzon koalicionin VLEN se, për shkak të mungesës së rezultateve konkrete në qeverisje, po përdor propagandën dhe shpifjet si instrumente të veprimit politik. Reagimi vjen pasi, sipas BDI-së, mbrëmë disa portale të afërta me VLEN-in sipas BDI-së e publikuan një lajm të pavërtetë lidhur me pagat e funksionarëve të kësaj partie.

Në një kumtesë për opinionin, BDI thotë se publikimi kishte për qëllim njollosjen e emrit të funksionarëve të saj dhe manipulimin e opinionit publik. Sipas partisë, pas demanteve të menjëhershme dhe paralajmërimeve për përgjegjësi ligjore nga persona të përfshirë në lajm, portalet që e publikuan informacionin u detyruan ta largojnë atë dhe të kërkojnë falje publike.

Reagimi i plotë:
Mbrëmë, portalet e afërta me VLEN-in plasuan një shpifje, një lajm të pavërtetë lidhur me pagat e funksionarëve partiakë të BDI-së, në një përpjekje të qartë për të njollosur emrat e tyre dhe për të manipuluar opinionin publik.

Por, pas demanteve të menjëhershme dhe paralajmërimit për përgjegjësi ligjore nga ana e funksionarëve të BDI-së, ndodhi ajo që e dëshmon më së miri natyrën e këtij operacioni mediatik: pas disa orësh, portali që e publikoi lajmin u detyrua ta largojë atë dhe të kërkojë falje publike. Të njëjtën gjë e bënë edhe portalet e tjera të afërta me VLEN-in, ndërsa edhe eksponentë të këtij subjekti që e kishin shpërndarë lajmin, i fshinë publikimet e tyre.

Ky zhvillim ngre pyetje serioze: kush i koordinon këto sulme, kush i furnizon portalet me informacione të pavërteta dhe kush merr përgjegjësi për dëmin që shkaktojnë shpifjet e tilla?

Në mungesë të rezultateve konkrete në qeverisje dhe përballë dështimeve të njëpasnjëshme, VLEN-i po e zhvendos betejën politike në terrenin e dezinformatave, shpifjeve dhe manipulimeve mediatike. Në vend të përgjegjësisë për premtimet e parealizuara, po ofron fushata diskreditimi ndaj kundërshtarëve politikë.

Fshirja e lajmit dhe kërkimfalja publike nuk e zhbëjnë dëmin e shkaktuar dhe as nuk e përjashtojnë përgjegjësinë për shpifjet e publikuara dhe të shpërndara.

BDI nuk do të lejojë që shpifjet të shndërrohen në instrument të politikës ditore. Çdo tentativë për njollosjen e funksionarëve të saj përmes informacioneve të fabrikuara do të marrë përgjigje publike dhe, kur është e nevojshme, edhe përmes rrugëve ligjore.

VLEN-i duhet të kuptojë se propaganda nuk është rezultat dhe shpifja nuk është politikë. Fshirja e lajmit i nxorri zbuluar dhe dëshmoi edhe një herë se veprimi i tyre politik është mashtrim, shpifje dhe vetëm një zero! përcjell Zhurnal.mk .