5.8 C
Skopje
E diel, 20 Prill, 2025

Cënimi i stabilitetit etnik/ Bexheti: Nëse preket gjuha shqipe padyshim se do të ketë krizë politike

Nëse preket Ligji për Gjuhët, padyshim se do të ketë krizë politike – thotë Blerim Bexheti i BDI-së, gjatë një interviste për Radion Evropa e Lirë. Ai vlerëson se në këtë situatë nuk mund të mbahen zgjedhjet lokale. Sipas Bexhetit, shtetit i duhen zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Nuk kemi paralajmëruar bojkotin, por ekziston mundësia për krizë politike nëse preket Ligji për Gjuhët – thotë koordinatori i Frontit Evropian, Blerim Bexheti.

Gjatë një interviste për Radion Evropa e Lirë, Bexheti thotë se kërkojnë zgjedhje të parakohshme parlamentare bashkë me ato lokale, që të respektohet legjitimiteti i dy bashkësive më të mëdha etnike bë vend.

“Zgjedhje të parakohshme parlamentare, në Kuvend si debat, u hapën nga të gjithë, duke u nisur nga Kryeministri Mickoski. Por, fakt është se shtetit i duhen zgjedhje të parakohshme parlamentare, që të dalë nga situata ku nuk respektohet legjitimiteti I bashkësisë së dytë etnike në vend. Vetëm në këtë mënyrë do të kthehet stabiliteti politik, por edhe mundësitë në ekonomi dhe sferat tjera të shtetit. Është e palejueshme që të respektohet vetëm njëri legjitimitet dhe për këtë shkak kërkojmë zgjedhje të parakohshme parlamentare” – tha Bexheti.

Nëse preket Ligji për Gjuhët padyshim se do të ketë krizë politike – shprehet I prerë Blerim Bexheti.

Sipas tij, qytetarët në tubimet e BDI-së kanë shfaqur shqetësime të nivelit të lartë për këtë temë të ndjeshme dhe për këtë qëllim është potencuar qëndrimi se vështirë do të ketë zgjedhje lokale, për shkak se cënohet stabiliteti etnik – thotë Bexheti.

Por, a priten trazira në këtë kontekst?

“Nuk mund të pritet stabilitet. Në mesin e 13-të subjekteve politike që kanë inicuar nisma të këtilla para Gjykatës Kushtetuese është edhe VMRO-DPMNE-ja dhe të pritet që ata që kanë legjitimitetin t`i cënojnë të drejtat e bashkësisë së dytë etnike. Mendoj se është e qartë se ku çon kjo. Jo rastësisht kemi patur edhe pyetje deputetësh dhe qëndrime tjera, qëndrime politike dhe kemi pritur se minimalisht nga korrektësia dhe respektit ndaj bashkësisë së dytë etnike, të tërhiqet iniciativa. Përse të mos debatohet për të gjitha fushat e progresit, e jo të regresit të të drejtave të Shqiptarëve” – tha Bexheti.

Partitë në pushtet vazhdimisht drejtojnë akuza në adresë të BDI-së për tentativa destabilizimi dhe se është koha që kjo parti të pajtohet se është në opozitë.

Por, Bexheti thotë se bëhet fjalë për “zhargon politik”, por se BDI-ja kishte paralajmëruar se mosrespektimi i legjitimitetit do të ketë pasoja.

“Gjatë gjithë kohës themi se Shqiptarët nuk do të pajtohen me këtë. Nëse kjo llogaritet, reagimi se dikush shkakton krizë politike, jo. Ai që inicon, ai që vepron, që miraton vendime – inicon krizë politike. Të shfuqizojnë Ligjin për Gjuhët, diaspora të privohet nga të gjitha të drejtat vetëm taksa të paguajnë, “balancuesi” etj. Cfarë duhet të themi, gjithcka është në rregull, zonja e zotërinj të shumicës qeveritare? Jo, faleminderit, nuk jemi për këtë të zgjedhur dhe s`kemi legjitimitet për këtë” – tha Blerim Bexheti.

Lidhur me arratisjen e Gubit, Blerim Bexheti, thotë se nuk është vetëm qëndrim personal, por partiak, që secili që ka gabuar para ligjeve duhet të përgjigjet.

Ndërkaq, lidhur me deklaratën e Mickoskit se ish-Kryeministri Nikola Gruevski ështa takuar me funksionarë të BDI-së në Budapest, Bexheti thotë se çdoherë kur ka tema të ndjeshme, Kryeministri merret me teza konspirative.

Sipas Bexhetit, Gruevski ka qenë ish-Kryetar i VMRO-DPMNE-së dhe shumë bashkëpunëtorë të tij sot janë në Kuvend, Qeveri dhe në pushtetin lokal. /tvklan.mk

Të ngjajshme

Të fundit