27.2 C
Skopje
E premte, 19 Qershor, 2026

Cucurella drejt Real Madridit? Trajneri i Spanjës reagon për marrëveshjen

Përzgjedhësi i Spanjës, Luis de la Fuente, ka mirëpritur lajmet që e lidhin Marc Cucurellën me një transferim te Real Madridi, duke theksuar se çdo sukses i lojtarëve të tij është një lajm i mirë edhe për kombëtaren.

Sipas gazetarit Fabrizio Romano, Real Madridi ka arritur marrëveshje me Chelsean për transferimin e mbrojtësit të majtë 27-vjeçar për shumën prej 60 milionë eurosh.

Duke folur para ndeshjes hapëse të Spanjës në Kupën e Botës 2026 kundër Kabo Verdes, De la Fuente u shpreh se situata të tilla nuk ndikojnë negativisht te grupi.

“Unë i njoh shumë mirë të gjithë lojtarët, e njoh përkushtimin dhe profesionalizmin e tyre. Kemi kaluar situata të ngjashme edhe gjatë Kampionatit Evropian dhe gjithçka është menaxhuar normalisht, pa krijuar probleme apo situata të pakëndshme”, deklaroi trajneri spanjoll.

Ai shtoi se asnjë futbollist i kombëtares nuk do të bënte diçka që mund të dëmtonte grupin.

I pyetur më tej për të ardhmen e Cucurellës, De la Fuente nuk e fshehu kënaqësinë për lajmet rreth mbrojtësit.

“Nëse është një lajm i mirë për Cucun, atëherë ne gëzohemi për të. Nëse ndonjë bashkëlojtar tjetër merr lajme të mira gjatë turneut, do të festojmë po ashtu. Çdo gjë e mirë për një nga lojtarët e mi është e mirë për të gjithë ekipin”, tha ai.

Trajneri i Spanjës theksoi se lumturia e lojtarëve të tij reflektohet edhe tek ai.

“Nëse ai është i lumtur dhe i kënaqur, atëherë edhe unë jam i lumtur. Çdo gjë që i bën lojtarët e mi të ndihen mirë më bën të ndihem mirë edhe mua”, përfundoi De la Fuente.

Real Madridi synon të përforcojë krahun e majtë të mbrojtjes me Cucurellën, i cili pritet të jetë një nga transferimet më të rëndësishme të verës për klubin madrilen.