20.8 C
Skopje
E premte, 26 Korrik, 2024

EDITORIAL/ Me vite po kërkohet vetting por assesi të realizohet, kush po frikësohet !?

Vettingu është një proces me të cilin do të duhej të pastrohej skena politike, ajo e drejtësisë dhe e sigurisë nga krimi i organizuar, nga papërgjegjshmëria dhe nga korrupsioni. Ky proces aspak i lehtë, është kryer nga çdo shtet që ka dashur të ketë shtet serioz, të pastër dhe të sigurt! Në të kundërtën shteti do të mbetet i kapur dhe kurrë nuk do të sundojë ligji e drejtësia. Maqedonia e Veriut duhet urgjentisht ta zbatojë këtë proces nëse dëshiron të ketë shtet tamam si çdo shtet tjetër në botë!

Çka synon vettingu!

Vettingu i politikës synon pastrimin e niveleve më të larta të shtetit nga individë që kanë kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar — qëllimi është që në Kuvend, në qeveri, në krye të komunave dhe institucioneve të tjera kushtetutuese të mos ketë individë, të cilët kanë kontakte apo shoqërim me persona të përfshirë në aktivitete kriminale. Për rrjedhojë, vettingut do të duhet t’i nënshtrohen kryeministri, ministrat, deputetët dhe drejtuesit apo anëtarët e institucioneve kushtetuese e ligjore që votohen nga Kuvendi.

Procesi i vettingut do të duhet të kalojë në dy faza. E para, është vetëdeklarimi—paraqitja e një deklarate të detajuar në lidhje me kontaktet, shoqërimin apo lidhje të tjera me persona me aktivitet kriminal—deklarimi bëhet nën përgjegjësi ligjore, pra nëse vertetohet se është plotësuar informacioni qëllimisht i rremë, deklaruesi ndëshkohet penalisht, shkruan Zhurnal.

Faza e dytë është ajo e verifikimit të vetëdeklarimeve dhe mbledhjes të çdo informacioni tjetër zyrtar nga institucionet shtetërore. Verifikimi nënkupton kryerjen e një hetimi të plotë për të parë nëse funksionari ka apo jo kontakte me individë të krimit të organizuar. Nëse nga ky hetim, zbulohet ekzistenca e kontakteve të tilla, personit i ndalohet të zgjidhet në Kuvend apo në krye të Komunës, i ndërpritet mandati apo shkarkohet nga detyra që mban, sipas rastit. Të njëjtat pasoja vijnë edhe në rastin kur personi nuk pranon të kryejë vetëdeklarimin, apo paraqet të dhëna të pasakta.

Vettingu i politikës nuk i mbivendoset as dekriminalizimit, as reformës në drejtësi, por ky proçes është një hap plotësues në garantimin e integritetit të funksionarëve të lartë publikë.

Dekriminalizimi synon që të largojë nga funksionet e larta drejtuese dhe administrata publike, personat me dënime kriminale në të kaluarën e tyre, ndërsa vettingu në politikë synon largimin e zyrtarëve, që janë të padënuar, por në një mënyrë apo një tjetër kanë shoqëri me njerëz të përfshirë në aktivitete kriminale.

Të dyja së bashku kanë për qëllim që ta pastrojnë politikën qoftë nga ata që kanë kryer krime vetë, qoftë nga ata që kanë lidhje me kriminelë. Në këtë kuptim, vettingu në politikë është thellim apo plotësim i proçesit të dekriminalizimit të politikës.

Procesi i Vettingut nëpër botë

Vettingun si proces i pastrimit të figurave kyçe në sistemin politik, të drejtësisë, të sigurisë etj, e kanë përdorur shumë shtete në botë dhe vazhdon të përdoret gjithandej me qëllim të pastrimit të shtetit nga korrupsioni, krimi i organizuar dhe problemet që vazhdimisht e pengojnë zhvillimin demokratik të tij.

Nga shtetet e rajonit fillimisht ishte Shqipëria, ajo e cila u ballafaqua me vettingun në procesin e drejtësisë, si proces që do të pastronte shtetin nga personat e kriminalizuar. Por, sistemin e vettingut e kanë përdorur edhe Hungaria, Çekia, Polonia dhe një sërë shtetesh të Evropës lindore. Finlanda në vitin 2002 miratoi një ligj i ashtuquajtur vetting i sigurisë, i cili i mbulon kriteret themelore të vettingut duke specifikuar fillimisht aplikantët për procedurat e vettingut e më pas procedurat e sigurisë, deri në masën e kontrollit të financave dhe lidhjet ndërkombëtare të personit që i nënshtrohet procedurës së vettingut.

Në vitin 2008, së bashku me ndryshimet në 2012, Kroacia ka Ligj për vetting të sigurisë që rregullon kontrollimin e individëve dhe personave juridikë. Ky ligj përfshin punësimin në institucionet shtetërore, agjencitë e sigurisë dhe të zbulimit, organet e luftës kundër krimit të organizuar, Ministrinë e Punëve të Jashtme, organet e Bashkimit Evropian dhe organet me interes të veçantë për sigurinë e shtetit. Ligji gjithashtu parashikon që procedura e vettingut të përsëritet në çdo 5 vjet.

Procesin e Vettingut thuajse duhet ta zbatojnë të gjitha vendet që kanë shprehur interes të anëtarësohen në Bashkimin Evropian, ndërsa së fundmi edhe Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë planifikuar që ta zbatojnë këtë proces.

Vettingu zbatohet thuajse në të gjitha shtetet në zhvillim, e sidomos në shtetet e Afrikës, ku krimi i organizuar është më i lartë.

Por, ky proces është i vazhdueshëm dhe zbatohet gjithmonë në shtetet e zhvilluara, sidomos kur bëhet fjalë për sektorin e sigurisë, drejtësisë, politikës së jashtme dhe vendeve kyçe në shtet, shkruan Zhurnal.

Gjyqësori, i pari që duhet të pastrohet në Maqedoninë e Veriut

Sistemi gjyqësor në Maqedoninë e Veriut do të duhet të jetë sektori i parë i cili duhet t’i nënshtrohet vettingut. Aktualisht janë bërë përgatitje për fillimin e këtij procesi në gjyqësor ku duhet të trajtohen gjykatësit e prokurorët në mënyrë të barabartë.

Me këtë metodologji të pastër për vlerësimin e punës në gjyqësor, garantohet se nuk do të ketë asnjë ndarje apo pastrim të padrejtë në gjyqësor. Për qytetarët ekzistojnë dy kategori funksionarësh në çdo fushë. Njerëz profesionistë dhe të përgjegjshëm, dhe njerëz jo profesionistë dhe të papërgjegjshëm. Vetëm kjo ndarje është e vlefshme dhe duhet t’iu interesojë qytetarëve.

Gjatë vlerësimit duhet të merren parasysh profesionalizmi, puna në kohë, efikasiteti, paanshmëria, përmirësimi në karrierë dhe vlerat organizative. Vlerësimi do të bëhet në çdo katër vjet, por duke u bazuar në raporte gjashtë mujore , do të ndahen në mënyrë të rastësishme gjashtë lëndë që do të analizohen.

Gjyqësori është sektori ku qytetarët kanë më së paku besim prandaj ky sektor duhet të pastrohet sa më shpejt nga prokurorët e gjykatësit e papërgjegjshëm.

Të pastrohen edhe politikanët!

Përveç procesit të pastrimit të gjyqtarëve e prokurorëve, në Maqedoninë e Veriut ka nevojë që sa më shpejtë të pastrohet politika! Politikanët e inkriminuar, ata që kanë lidhje me krimin, me personat që janë nën hetime, me personat e dyshuar, me personat e korruptuar dhe nëse vet kanë pasur të kaluar kriminale, duhet urgjentisht të pastrohen dhe mos të kenë të drejtë të marrin pjesë në proceset zgjedhore. Politika duhet të jetë e pastruar nga personat me prapavijë kriminale. Ky proces edhe pse duket i vështirë për t’u arritur, shteti duhet të jetë shumë i vendosur që politikanët të cilët kanë pasuri të paarsyetuar të përjashtohen njëherë e përgjithmonë nga politik bërja në vend.

Këtë proces e kanë zbatuar të gjitha shtetet që kanë dashur të kenë shtet të zhvilluar dhe të largohen nga e kaluara e errët historike. Sidomos më së shumti e kanë aplikuar shtete që kanë dalë nga komunizmi dhe më pas u anëtarësuan në Bashkimin Evropian.

Megjithatë, ky sistem që zbatohet edhe sot e kësaj dite në botën e zhvilluar perëndimore, nuk e lejon një person me histori personale ose familjare të kriminalizuar që të merret me politikë. Nuk e lejon një person që ka lidhje me kriminin e organizuar që të marrë pozita në administratën shtetërore, qoftë në sistemin e sigurisë, të mbrojtjes, të politikës së jashtme apo edhe të drejtësisë.

Shtetet e zhvilluara, proces të vettingut zhvillojnë edhe kur i japin leje për vizë hyrëse një shtetasi të huaj, kurse ne nuk kontrollojmë njerëzit edhe kur marrin pozita më të larta. Kjo, nëse është në interes të politikës ditore të politikanëve, duhet të kuptohet se është në dëm të madh të shtetit dhe të ardhmes së zhvilluar të këtij shteti.

Edhe pse duket i vështirë për t’u realizuar, partitë politike duhet njëherë e përgjithmonë të pastrohen nga të korruptuarit dhe kriminelët që u rrotullohen çdo ditë nëpër zyrat e partive, e sidomos kur kyçen në procesin e zgjedhjeve. Kjo tregon, se kriminelët dhe të korruptuarit janë në shërbim të partive politike. Prandaj, çdo kryetar partie duhet ta kontrollojë fillimisht personin që i beson një post deputeti, ministri apo drejtori. Ndryshe, çdonjëri do të konsiderohet se është i korruptuar. Populli thotë, “me kë shoqërohesh, ashtu je”, prandaj edhe politikanët nuk mund të thonë se janë të pastër, përderisa rrinë natë e ditë me kriminelë e të korruptuar!/Zhurnal.mk

Të ngjajshme

Të fundit