Avokati i familjes së Faton Hajrizit, Gent Gjini, do të dorëzojë padi dhe kallëzime penale ndaj kryeministrit Albin Kurti, zëvendësit të tij, Besnik Bislimi dhe ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Këtë, avokati Gjini pritet ta bëjë sot në ora 13:30 , teksa në një njoftim për media, ai tha se padinë do ta bëjë për, sipas tij, fyerje ndaj Faton Hajrizit.
Ai tha se fjala “kriminel” ishte arsyeja kryesore se pse do të bëhet kjo padi.
I pranishëm aty do të jetë edhe vëllai i Fatonit, Artan Hajrizi.
Hajrizi, që ishte arratisur nga Qendra Korrektuese në Smrekonicë më 6 korrik, u bë i dyshuar për vrasjen e një polici serb dhe plagosjen e një tjetri në orët e para të 18 korrikut në Lloznicë.
Pas rreth 40 orësh kërkimesh, ai më pas është lokalizuar dhe vrarë nga policia serbe.
Burimi / Reporteri.net