7.8 C
Skopje
E martë, 31 Mars, 2026

FAMILJARIZIMI IM ME UEJL-në

Vera e vitit 2003 ishte kthesë e madhe në jetën time. Atëherë sapo isha kthyer në Vjenë nga pushimet verore në Strugë. Prisja të filloja stërvitjet parapërgatitore për filimin e kampionatit në ligën e tretë të futbollit për ekipin e Stockeraut, e, po ashtu, në të njëjtën kohë duhej të filloja edhe punën në Institutin për Studime Ndërkombëtare si hulumtues për rajonin e Ballkanit. Më 1 mars të vitit 2003 kisha regjistruar studimet e doktoratës, ku e kisha përfunduar semestrin e parë. U takova me shokët e mi në mensën dhe kafiterinë AAI. Biseduam gjerë e gjatë lidhur me kthimin tonë në vendlindje, për kontributin që mund të jepnim atje etj. Në fundjavë shkova për t’i vizituar prindërit, ngase unë jetoja me vëllain e madh, i cili studionte për mjekësi, dhe tashmë ai punon si ortoped dhe traumotolog në Vjenë. I njoftova prindërit se unë kisha vendosur të kthehem në vendlindje. Babai u gëzua shumë, kurse nënës i dolën lot dhe më luti të rrija aty ku ishim të gjithë bashkë. Pa dyshim, ai ishte një vendim i vështirë për mua, një kthesë e madhe. Por vendosa dhe u ktheva, duke u punësuar me orar të pjesshëm në Universitetin e Europës Juglindore në Tetovë në Fakultetin e Administratës Publike. Më 1 tetor të vitit 2003 ishte dita ime e parë e punës. Mbase nuk ishte fare e lehtë për mua. U vendosa në konviktin e Universitetit për banim, por kohë pas kohe udhëtoja shpesh edhe për në Vjenë, sepse isha duke i vazhduar studimet e doktoratës. Dhe, më 26 janar të vitit 2006, në moshën 27-vjeçare i mbarova me sukses të lartë studimet e doktoratës. Pasi i kreva këto, përfundimisht vendosa të kthehem në Maqedoni. Sot u mbushën 20 vjet të punës sime si ligjërues në UEJL. Prandaj, në këtë moment është vështirë të kuptohen përmasat e këtij përjetimi 20-vjeçar të karrierës sime në këtë universitet. Gjithsesi, jam shumë krenar me punën time arsimore dhe me kontributin tim në UEJL. Jam i familjarizuar me këtë universitet. Këtu kam shumë miq. Kam shumçka për të thënë lidhur me këto 20 vite në UEJL, por megjithatë po e mbyll me fjalën më mirënjohëse.

FALEMINDERIT UNIVERSITETI I EUROPËS JUGLINDORE!

P.s shkrimi i dedikohet 20 vjetorit të fillimit të punës sime akademike në UEJL

Shkup, 1.10.2023

Të ngjajshme

Të fundit