31.8 C
Skopje
E martë, 18 Gusht, 2026

(FOTO) Qyra realizoi takim me ministrin e Ekonomisë, Besar Durmishi

Kryetari Qyra, së bashku me kryesinë e OEMVP dhe drejtorin ekzekutiv, realizuan takim me Ministrin e sapoemëruar të Ekonomisë dhe Punës, z. Besar Durmishi.

Në këtë takim u diskutua mbi masat dhe politikat e reja për zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e klimës së të bërit biznes në vend. Qëllimi i takimit ishte forcimi i bashkëpunimit dhe identifikimi i sfidave të përbashkëta.

Kryetari Qyra ngriti shqetësimin për ngrirjen e çmimeve, duke theksuar se kjo masë dëmtoi rëndë sektorin privat dhe apeloi që e njëjta të mos përsëritet. Ai gjithashtu theksoi se Ligji i tatimit solidar  i dekurajoi kompanitë për të investuar dhe për tu zhvilluar më tutje, dhe se e njëjta u shkaktoi pasoja afatgjate kompanive të cilat ishin të detyruar të paguanin shuma të mëdha.

Drejtori ekzekutiv i OEMVP z. Durim Zeqiri u shpreh se Oda është e gatshme për partneritet me të gjithë faktorët relevantë të ekonomisë dhe se të njëjtit duhet ta kapitalizojnë Odën si institucion, duke u konsultuar për problematikat aktuale, por edhe ato potenciale në RMV.

Ministri i Ekonomisë dhe Punës theksoi që dy institucionet në fjalë ndajnë interesin e përbashkët për zhvillimin e sektorit privat dhe se bashkëpunimi i të njëjtëve do të përfshijë të gjithë parametrat e rëndësishëm ekonomik, duke përfshirë jo vetëm shkëmbimin tregtar, por edhe bashkëpunimin në të gjitha fazat e hartimit të ligjeve, programeve, dokumenteve strategjike e kështu me radhë.

Takimi përfundoi me një angazhim të përbashkët për të vazhduar konsultimet dhe për të punuar drejt përmirësimit të klimës ekonomike në vend, duke u fokusuar në zhvillimin e qëndrueshëm të kompanive dhe në krijimin e një ambienti të barabartë për të gjitha bizneset.