“Gaslighting” është një formë e manipulimit psikologjik ku një person përpiqet ta bëjë një tjetër të dyshojë në perceptimin, kujtimet apo realitetin e tij. Ky manipulim shpesh ndodh në marrëdhënie të afërta dhe mund të ketë pasoja të rënda psikologjike për viktimën, duke e bërë atë të ndjehet e pasigurt dhe e varur nga abuzuesi.
Psikologja Sumea Ramadani, e ftuar në emisionin “Ditë e Re” në Alsat, ka shpjeguar sesi gaslighting është i pranishëm në rastet e dhunës në familje. Ajo ka theksuar se ky manipulim ndodh kur abuzuesi, pasi ushtron dhunë fizike apo psikologjike ndaj viktimës, përpiqet ta fajësojë atë për sjelljen e tij.
“Nëse kemi një abuzues dhe një viktimë, abuzuesi e abuzon viktimën qoftë fizikisht, qoftë psikologjikisht dhe pastaj thotë ti më nxite ta bëj këtë, nga ky veprim i yti unë e bëra këtë. Edhe kur ushtron abuzim psikologjik, ai i thotë viktimës ndonjë fjalë të keqe dhe pastaj e akuzon këto janë reagimet e tua. Prandaj është jetësore që ta diskutojmë gaslighting-un si manipulim,” theksoi Sumea Ramadani, psikologe.
Sipas saj, qëllimi kryesor i këtij manipulimi është që viktima të shkëputet nga realiteti dhe të humbasë besimin tek vetja, duke u bërë më e ndjeshme ndaj kontrollit dhe abuzimit të mëtejshëm. Për këtë arsye, ndërgjegjësimi për gaslighting-un është i rëndësishëm në luftën kundër dhunës në familje dhe në forcimin e mekanizmave të mbrojtjes për viktimat. /Alsat.mk