Inflacioni në tetor arriti në 3,3 për qind në nivel vjetor, kundrejt 2,7 për qind në shtator, tregojnë të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikës. Statistikat vazhdimisht tregojnë rritje të inflacionit, ndërsa përfaqësuesit e pushtetit bindin se jetohet gjithnjë e më mirë dhe se masat qeveritare po japin rezultate, thotë Ivan Peshevski nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë, por thekson se qytetarët këtë nuk e ndjejnë dhe nuk e shohin.
Sipas tij, pamja është e qartë, qytetarët nuk e shohin atë jetë më të mirë as te çmimet e karburanteve, as te çmimet në markete dhe në vendet ku qytetari shpenzon pagën, edhe ashtu modeste, me të cilën jeton nga dita në ditë.
Peshevski potencoi se është e nevojshme që institucionet kompetente të dalin në terren me më shumë seriozitet dhe t’i shohin çmimet, si dhe nëse ato janë reale, veçanërisht në markete dhe në tregun e banesave.
Pavarësisht përshpejtimit të inflacionit vjetor, nga Ministria e Ekonomisë dhe Punës vlerësojnë se lëvizjet e çmimeve, për momentin, nuk e cenojnë stabilitetin relativ të tregut. Sipas tyre, treguesit e tetorit nuk sinjalizojnë presione të theksuara mujore mbi çmimet.
Ministria e Ekonomisë dhe Punës
“Ministria e Ekonomisë dhe Punës vazhdimisht i ndjek lëvizjet e çmimeve, veçanërisht te produktet bazë ushqimore, dhe do të vazhdojë ta analizojë me kujdes gjendjen në treg. Nëse konstatohen rritje të pajustifikuara të çmimeve ose presione shtesë mbi standardin jetësor, në koordinim me institucionet kompetente do të shqyrtohet nevoja për marrjen e masave përkatëse. Qëllimi ynë është të ruajmë stabilitetin e tregut, të mbrojmë fuqinë blerëse të qytetarëve dhe të reagojmë me kohë nëse zhvillimet në treg e kërkojnë këtë”, thonë nga Ministria e Ekonomisë dhe Punës.
Sipas analizës së Entit Shtetëror të Statistikës, vetëm për një muaj, kostot e jetesës janë rritur me 0,4 për qind shtesë.
Rritja më e madhe vjetore e çmimeve është regjistruar te transporti, me 9,5 për qind. Rekreacioni, sporti dhe kultura janë shtrenjtuar për 8,5 për qind, ndërsa ushqimi dhe pijet joalkoolike për 2,1 për qind.
Vetëm gjatë tetorit, ushqimi është shtrenjtuar për 0,7 për qind, veshmbathja dhe këpucët për 1,2 për qind, ndërsa shpenzimet për banim dhe energjentë për 0,3 për qind. përcjell Zhurnal.mk .




