5.8 C
Skopje
E hënë, 17 Mars, 2025

Gjykata Federale urdhëron administratën Trump të heqë pezullimin e ndihmave të jashtme

Gjykatësi federal amerikan të enjten urdhëroi zyrtarët e administratës së presidentit, Donald Trump që të respektojnë urdhrin e mëparshëm për heqjen e vendimit për ngrirjen e pothuajse të gjitha ndihmave të jashtme amerikane (USAID).

Urdhri i gjykatësit të rrethit, Amir Ali nga Uashingtoni, erdhi pasi administrata më herët këtë javë deklaroi në parashtresat gjyqësore se po i mbante mijëra kontrata dhe grante të Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) dhe Departamentit të Shtetit të anuluara ose të pezulluara, pavarësisht vendimit të përkohshëm për t’i dhënë fund një ndalesës trejavore të ndihmës.

Administrata e Trumpit pretendoi se kishte respektuar urdhrin, duke thënë se ai u kishte lënë hapësirë për të anuluar ose pezulluar kontratat gjatë rishikimit të tyre një nga një, raporton thehill.

Megjithatë, të enjten, gjykatësi shkroi se “nuk u kërkoi të pandehurve të vazhdonin pezullimin ndërsa rishikonin kontratat dhe bazat ligjore për të arritur në një racionalizim të ri, pas aktit, për pezullimin masiv”.

Dy organizata jofitimprurëse, të cilat janë mes kundërshtarëve që kanë ngritur padi kundër administratës për ngrirjen e ndihmës, të mërkurën kërkuan nga gjykatësi Ali që të ndëshkojë zyrtarët e administratës, përfshirë Sekretarin amerikan e Shtetit Marco Rubio, për mosrespektim të urdhrit gjyqësor për shkak të “sfidimit të hapur” ndaj vendimit të mëparshëm.

Ali tha se përbuzja “nuk është e justifikuar bazuar në provat aktuale”, pasi administrata në parashtresat e saj gjyqësore kishte pranuar nevojën për “përshtatje të shpejtë” me vendimin.

Trump, pas marrjes së detyrës si president i SHBA-së, urdhëroi një pezullim 90-ditor të gjithë ndihmës së jashtme.

Të ngjajshme

Të fundit