9.8 C
Skopje
E diel, 23 Mars, 2025

Nisin 50 projekte infrastrukturore në Çair me mbështetje qeveritare prej 2.8 milionë euro

Sot, zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, së bashku me kryetarin e Komunës së Çairit, Visar Ganiu, filluan zbatimin e 50 projekteve infrastrukturore në këtë komunë. Këto projekte, të cilat do të realizohen me mbështetje të Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, kanë një vlerë të përgjithshme prej 2.8 milionë euro, informon POPULLI.mk

Në kuadër të këtyre investimeve, nisi puna për një projekt të rëndësishëm për banorët e Rrugës Nexhat Agolli – rekonstruksioni i plotë i rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimit fekal. Ky investim, me vlerë mbi 9 milion denarë, ishte një nga premtimet e dhëna para zgjedhjeve dhe do të mundësojë kyçjen e mbi 50 amvisërive në rrjetin e ri të ujësjellësit dhe kanalizimit fekal.

“Pas përfundimit të këtij projekti, që pritet të zgjasë dy muaj, rruga do të jetë tërësisht e asfaltuar, duke përmirësuar ndjeshëm jetën e banorëve të kësaj zone,” deklaroi Mexhiti.

Ai shtoi se Qeveria dhe Ministria e Mjedisit po investojnë në të gjitha komunat me qëllim përmirësimin e standardit jetësor të qytetarëve. Sipas tij, për vitin 2025, Çairi do të përfitojë 9 milionë euro të tjera nga fondet qeveritare për projekte të reja zhvillimore.

“Na presin edhe shumë projekte të tjera, jo vetëm në Çair, por edhe në komuna të tjera. Ekipeve u uroj punë të suksesshme, ndërsa banorëve durim deri në përfundimin e këtij projekti afatgjatë,” përfundoi Mexhiti. / © POPULLI.mk

Të ngjajshme

Të fundit