-1.2 C
Skopje
E mërkurë, 21 Shkurt, 2024

Ilaçet për pengjet e Hamasit dhe banorët palestinezë arrijnë në Gaza

Ilaçet për pengjet e rrëmbyera nga Hamasi u nisën drejt Gazës të mërkurën pas një marrëveshje të ndërmjetësuar nga Katari dhe Franca ndërmjet Izraelit dhe Hamasit.

Marrëveshja është e para mes dyja palëve që nga nëntori, kur marrëveshja për armëpushim një javor u shkel.

Marrëveshja për ilaçet u arrit ndërkohë që konflikti, i cili kaloi 100 ditëshin, nuk jep shenja se është afër përfundimit dhe po nxit tensione nëpër tërë Lindjen e Mesme. Sulme dhe kundërpërgjigjet ndaj tyre gjatë ditëve të fundit, janë shtrirë nga pjesa veriore e Irakut e deri në Detin e Kuq, nga pjesa jugore e Libanit deri në Pakistan.

Ilaçet arritën në Egjipt dhe po transportohen drejt kufirit me Gazën përmes kalimit kufitar në Rafah. Një zyrtar i lartë i grupit militant Hamas tha se për çdo pako për pengjet, do të ketë 1,000 pako për palestinezët. Marrëveshja përfshin edhe dërgimin e ndihmës humanitare banorëve të Rripit të Gazës.

Militantët palestinezë ende po rezistojnë përgjatë Gazës përballë një prej fushatave ushtarake që ka shkaktuar shkallën më të lartë të të vrarëve në dekadat e fundit. Rreth 85 për qind e 2.3 milionë banorëve të Rripit të Gazës janë larguar nga shtëpitë e tyre dhe sipas Kombeve të Bashkuara një e katërta e popullatës po vuan nga uria.

Izraeli është zotuar se do ta shkatërrojë Hamasin në mënyrë që grupi të mos ketë më aftësi për të përsëritur sulme si ai 7 tetorit, që nxiti luftën. Militantët e Hamasit arritën të çajnë mburojën e kufirit dhe sulmuan disa vendbanime, duke vrarë 1,200 persona, shumica e të cilëve civilë, dhe duke rrëmbyer 250 persona.

Izraeli po ashtu ka premtuar se do të kthejë në shtëpi mbi 100 pengje që ende po mbahen në Gazë. Hamasi ka liruar shumicën e grave dhe fëmijëve që po mbaheshin peng në këmbim të lirimit të të burgosurve palestinezë nga burgjet izraelite.

Hamasi ka deklaruar se nuk do të lirojë pengje të tjera përderisa të mos ketë një armëpushim të përhershëm, kusht ky që Izraeli dhe aleati i saj kryesor Shtetet e Bashkuara, e përjashtojnë si mundësi.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit, Majed al-Ansari tha të martën se marrëveshja nënkupton se “ilaçet, së bashku me ndihmat e tjera humanitare, do t’u dërgohen civilëve në Rripin e Gazës, në zonat më të prekura dhe më të pambrojtura, në këmbim të dërgimit të ilaçeve të nevojshme për pengjet izraelite në Gazë”.

Ai nuk dha detaje mbi sasinë dhe llojin e ndihmës që do t’u dërgohej civilëve.

Zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu tha se dy avionë të Forcave Ajrore të Katarit do të uleshin të mërkurën në Egjipt me ilaçe të blera në Francë bazuar në një listë izraelite.

Sipas zyrtarëve francezë negociatat kishin vazhduar për javë të tëra dhe ideja fillestare kishte ardhur nga familjet e disa prej pengjeve izraelite. Secilit prej 45 pengjeve do t’u dërgohen pako specifike mjekësore për disa muaj, të cilat janë siguruar nga Franca. Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq do të koordinojë shpërndarjen e ndihmës në terren.

[bsa_pro_ad_space id=1]

[bsa_pro_ad_space id=2]

Të ngjajshme

[bsa_pro_ad_space id=2]

[bsa_pro_ad_space id=1]

Të fundit