36.8 C
Skopje
E diel, 23 Qershor, 2024

Ish kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu do të rikthehet në pushtet

Kryeministri më jetëgjatë i Izraelit, Benjamin Netanyahu, do të rikthehet në pushtet, një vit pasi qeveria e tij u rrëzua. Me pothuajse të gjitha votat e numëruara, partia e tij Likud doli e para në zgjedhje dhe do të jetë në gjendje të formojë një koalicion qeverisës me partitë ultra-ortodokse dhe ato të krahut të djathtë. Qeveria e re mund të mbajë një qëndrim më të ashpër ndaj palestinezëve dhe Iranit.

Benjamin Netanyahu dhe partia e tij Likud janë fitues të zgjedhjeve të së martës në Izrael, të katërtat në pesë vjet. Ish-udhëheqësi izraelit është në rrugën e duhur për të krijuar një koalicion fetar të krahut të djathtë me partitë ultra-ortodokse dhe ato të ekstremit të djathtë.

“Sot kemi fituar një votë të madhe besimi”, tha ai.

Fituesi tjetër i madh është politikani i ekstremist të djathtë, Itamar Ben-Gvir. Partia e tij “Zionizmi Fetar” tani është partia e tretë më e madhe në Izrael. Ai ka thënë tashmë se dëshiron të bëhet Ministër i Brendshëm i Izraelit, përgjegjës për çështje të ndjeshme si marrëdhëniet mes hebrenjve dhe myslimanëve në vendet e shenjta fetare të Jeruzalemit.

“Të gjithë duan ndryshim të vërtetë. Njerëzit duan të ecin të sigurt në rrugë, ata duan që ushtarët dhe policët të jenë të lirë të bëjnë punën e tyre dhe të bëjnë një dallim të qartë midis atyre që janë besnikë ndaj shtetit të Izraelit dhe atyre që veprojnë për të minuar ekzistencën e vendit tonë të dashur”, tha ai.

Përparësia e parë e qeverisë së re do të jetë heqja e akuzave për korrupsion ndaj zotit Netanyahu, thonë disa analistë izraelitë.

“Netanyahu do të dëshironte miratimin e një ligji të propozuar nga Partia “Zionizmi Fetar”, i cili do t’i jepte fund gjyqit ndaj tij”, thotë Jonathan Rynhold nga Universiteti Bar-Ilan.

Analistët thonë gjithashtu se zoti Netanyahu do të ndryshojë përparësitë e politikës së jashtme të Izraelit.

“Netanyahu dëshiron të ndryshojë qasjen ndaj Lindjes së Mesme, duke lënë mënjanë konfliktin palestinezo-izraelit dhe duke folur për Iranin, jo për palestinezët. Pra, para së gjithash, unë mendoj se ne do të kthehemi në periudhën e mëparshme për të mos negociuar”, thotë analistja Gayil Talshir nga organizata “MediaCentral”.

Zgjedhjet pasojnë tensionet në rritje mes izraelitëve dhe palestinezëve. Zyrtarët palestinezë thonë se fitorja e Benjamin Netanyahut është një lajm i keq për ta.

“Izraeli po mban zgjedhje të përgjithshme pasi fushatat e tij zgjedhore qëllimisht çuan në më shumë vrasje, më shumë vendbanime të paligjshme dhe bllokada ndaj popullit tonë. Ne jemi të vetëdijshëm se këto zgjedhje nuk do të çojnë në një partneritet për paqe”, tha Kryeministri palestinez Mohammad Shtayyeh.

Analistët izraelitë thonë se ardhja në pushtet e partive të ekstremit të djathtë mund të shkaktojë tensione edhe me administratën e Presidentit Biden, e cila i ka bërë thirrje Izraelit të rifillojë bisedimet me palestinezët.

Të ngjajshme

Të fundit