17.8 C
Skopje
E hënë, 20 Maj, 2024

Asnjë parti shqiptare nuk e pranoi ftesën e Lëvizjes Besa!

Ndonëse Lëvizja Besa ende nuk ka bërë të ditur se kush nga partitë shqiptare do t’ju shkojë në takimin që e thirrën ata, megjithatë duket se asnjë prej tyre nuk e ka pranuar ftesën. Përgjigja e BDI-së lë të kuptohet se ata do të marrin pjesë vetëm në takimin që organizon kryeministri Kovaçevski dhe jo në atë të Besës.

“Takimi i partive politike është caktuar për të hënën në ora 12 në kuvend. TV21: E kam fjalën për takimin që e ka thirrur Besa. Për ta keni një përgjigje apo ngelët vetëm ky takimi i së hënës?-Në këtë takim duhet të jenë gjitha partitë parlamentare”, thonë nga BDI.

Nga Alternativa nuk ndjejnë nevojën e një takimin të tillë, për shkak se siç thonë tani më të gjitha partitë edhe ato maqedonase janë deklaruar pro këtij ndryshimi kushtetues.

“AlternAtivA tashmë është deklaruar se përkitazi me temën e heqjes së 20%-shit nuk kemi asnjë dilemë a duhet ta mbështesim dhe se për këtë nuk ka nevojë për ndonjë takim të veçantë. Për këtë çështje tashmë janë të gatshme edhe partitë joshqiptare dhe kjo nuk është më temë që imponon ndonjë takim të veçantë të partive politike shqiptare. Nëse ka rrethana të tjera dhe tema të tjera, ftesat e tilla do të shqyrtohen”, thonë nga Alternativa.

As kreu i PDSh-së Menduh Thaçi nuk do të marrë pjesë në takimin e Besës.

“Sa i përket ndryshimeve kushtetuese për heqjen e 20% nga kushtetuta duhet të ceket se ne jemi iniciatorë të këtyre ndryshimeve kurse ASh dhe Besa tentojnë që ta përvetësojnë dhe kopjojnë këtë iniciativë”, thonë nga PDSH.

Nga Aleanca për Shqiptarët, qëndrim do të kenë pas mbledhjes se Komisionit për organizim të kongresit që ka kompetencat e kryesisë. Besa e thirri takimin në kuadër të tryezës së përbashkët të partive parlamentare shqiptare ku si temë kryesore u paralajmërua që do të jenë ndryshimet kushtetuese dhe heqja e 20% si definicion për shqiptarët.

Ndërkaq Besa kur bëri ftesën për takimin, nuk caktoi as ditën e as orën me qëllim që kjo të bëhet në koordinim me agjendat e partive.

Të ngjajshme

Të fundit