9.8 C
Skopje
E mërkurë, 5 Shkurt, 2025

Ishte viti 2011, tani jemi në vitin 2025

Shkruan: Blerim Shala

Në mesin e viteve të nëntëdhjeta (të shekullit të kaluar), në kryeqytetet perëndimore (në ‘qendrat e vendosjes’, si thuhej asokohe këtu, në Prishtinë), pati marrë hov qëndrimi që çështja e Kosovës, do të shtrohet për zgjidhje në rrethanat shumë më të volitshme për të gjithë, kur regjimi i Slobodan Miloševićit do të bie, dhe kur Serbia do të demokratizohet.

Në parim, thuhej atëherë në Perëndim, Kosova është çështje demokratike (e vullnetit të thuaja gjithë popullatës së saj), dhe nëse në Beograd do të ketë pushtet demokratik, me vlera evropiane dhe synime pro-perëndimore, do të jetë e mundur që të adresohet si duhet tema e statusit të Kosovës, e cila ishte hapur me zhbërjen e ish-Jugosllavisë në vitin 1991.

E tëra kjo dukej e logjikshme dhe e qëndrueshme. Megjithatë, edhe në ato rrethana kur faktori shqiptar në Kosovë ende nuk kishte arritur t’i krijojë kushtet e imponimit në Washington dhe Bruksel të urgjencës së zgjidhjes së çështjes së Kosovës (kjo do të pasojë më vonë, pas shpërthimit të luftës, në vitin 1998), për politikanët shqiptarë të kohës ishte gabim që fati i Kosovës të lidhej me demokratizimin e Serbisë, i cili nuk dihej se a do të ndodhë fare dhe kur do të ndodhë.

Pastaj, Prishtina nuk kishte kurrfarë indikacionesh që një Serbi demokratike do të mund t’i qasej si duhej dhe si pritej (në Perëndim), dialogut në mes të Beogradit dhe Prishtinës.

Supozimet e kosovarëve dolën të jenë të sakta. Për shumë shkaqe. Dihet se si i tëfillua lëmshi (i përgjakshëm) i Kosovës në vitet 1998, 1999. Raporti i kushtëzuar, i ndërvarur në mes të demokratizimit të Serbisë dhe Kosovës, u ri-krijua edhe në vitet e procesit të zbardhjes së statusit të Kosovës (2005-2007).

Në pushtet, në Beograd, ishin liderët e dy partive demokratike (në emër), të cilët nuk e shfaqnin as më të voglën gatishmëri që së pari, të marrin parasysh gjithë tragjedinë që pushtetet e Serbisë kishin shkaktuar në Kosovë, që në këtë kontekst të kërkonin falje dhe të ofronin pendesën e tyre të sinqertë, dhe së dyti, që ta pranojnë vullnetin e njohur botërisht të shqiptarëve të Kosovës për pavarësi.

Zaten, ky vullnet tashmë ishte përligjur (në mënyrë të tërthortë), me Parimet Prijëse të Grupit të Kontaktit (të vitit 2005). Dihet se si mori fund procesi i përcaktimit të statusit të Kosovës, në shkurtin e vitit 2008. Për më shumë, edhe ICJ (Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë), në muajin korrik të vitit 2010, konstatoi që akti i shpalljes së pavarësisë nga Kuvendi i Kosovës, nuk ishte në kundërshti me të Drejtën Ndërkombëtare.

Megjithatë, ky nuk ishte fundi i raportit në mes të ndërmarrjes së demokratizimit (eventual) të Serbisë dhe temës së Kosovës, kësaj here, pas të gjithave, në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, si dy shtete të pavarura.

Ky dialog, kujtojmë, u autorizua nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, (shtator, 2010), duke mandatuar BE-në si lehtësues të tij.

Brishtësia e proceseve demokratike në Serbi, të cilat atëherë lidheshin me Presidentin e saj Boris Tadiq, ndikoi në Washington dhe në Bruksel që ’aterimin’ e politikës zyrtare serbe në realitetin e quajtur shteti i Kosovës (dhe njohja reciproke), ta provojnë ta bëjnë gradualisht, përmes dialogut të Brukselit, duke pasur si ’lëndë djegëse’ (të ecjes në drejtimin e duhur), anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian.

Kështu nisi rrëfimi i dialogut të Brukselit për arritjen e Marrëveshjes gjithpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës dhe Serbisë.

Ishte viti 2011. Tani jemi në vitin 2025. Vetëm përmendja e këtillë e dy viteve kalendarike, duket se është komenti më i mirë dhe më i sakt i mundshëm i gjithë rrjedhës së këtyre bisedimeve.

Në fillim të këtij viti të ri, dy shtytësit kryesor për sendërtimin e një Marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës dhe Serbisë, janë në gjendje fare të paqartë.

Politika zyrtare serbe është më larg se kurrë, për decenie me rradhë, nga demokratizimi i Serbisë.

Në anën tjetër, nuk është aspak e qartë se kur Serbia do të mund të bëhej pjesë përbërëse e Bashkimit Evropian.

Me këto dy të panjohura të mëdha të ekuacionit politik në Serbi (dhe rreth Serbisë), ’rezervat e shpresës’ për një epilog të suksesshëm të dialogut Kosovë – Serbi kanë rënë në nivelet më të ulëta në historinë e këtij dialogu.

Të ngjajshme

Të fundit