Klodiana Vefa u vra nga ish-bashkëshorti i saj Alfred Vefa sepse kishte vendosur ta linte përfundimisht për të nisur një jetë të re larg tij, pas ndarjes në shtëpi që kishte vite që po vazhdonte.
Kështu kanë deklaruar miqtë dhe të njohurit e 35-vjeçares së vrarë mbrëmjen e së enjtes së kaluar në Castelfiorentino, në provincën e Firences, nga ish-i i saj, i cili më pas u vetëvra me të njëjtën armë.
Sipas dëshmive dhe hetuesve, Klodiana kishte kohë që pas ndarjes nga i shoqi në Shqipëri kishte një lidhje me një mashkull tjetër dhe duket se tashmë kishte vendosur të largohej nga shtëpia që ndante me të.
Marrëdhënia mes gruas dhe ish-it në fakt kishte marrë fund prej kohësh dhe vetëm për shkak të problemeve burokratike ndarja nuk u regjistrua në Itali. Ndërkohë, të dy vazhduan të jetonin në të njëjtën shtëpi për fëmijët e tyre por edhe për problemet ekonomike.
Siç konfirmuan vetë fëmijët dhe miqtë e saj, 35-vjeçarja nuk e kishte denoncuar apo raportuar ish-bashkëshortin e saj pasi kishte frikë për fëmijët.
Një shoqe e saj duke folur për mediat italiane ka deklaruar:
Klodiana nuk e ka denoncuar kurrë për shkak të fëmijëve të saj. Ajo kishte frikë se nëse e bënte, ai do t’i dëmtonte fëmijët e saj. Dhe më pas u bind se edhe duke denoncuar kërcënimet, ndjekjet dhe torturat që i bënte, asgjë nuk do të ndryshonte. Ajo donte të ishte e lumtur, po përpiqej me të gjitha forcat. Kishte gjetur një person me të cilin ishte e lumtur.
