15.8 C
Skopje
E mërkurë, 15 Prill, 2026

Konjufca: Kosova vazhdon të përballet me fushata dezinformimi që vijnë kryesisht nga Rusia dhe Serbia

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe të Diasporës së Kosovës, Glauk Konjufca, gjatë konferencës “Demokracitë Rezistente në Epokën e Informacionit: Perspektiva Nordike mbi luftimin e dezinformimit dhe forcimin e qëndrueshmërisë shoqërore”, tha se dezinformimi nga Rusia dhe Serbia e kërcënojnë stabilitetin demokratik, transmeton Anadolu.

Konjufca në këtë konferencë tha se bota po jeton në një epokë ku mjedisi informativ po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm për stabilitetin demokratik.

Sipas tij, Kosova vazhdon të përballet me fushata dezinformimi që vijnë kryesisht nga Rusia dhe Serbia, të cilat përpiqen të cenojnë shtetësinë, të keqinterpretojnë realitetin dhe të ndikojnë në perceptimin vendor dhe ndërkombëtar.

Ai theksoi se dezinformimi dhe ndikimi në informacion nuk janë më sfida margjinale, por përpjekje të qëllimshme, shpesh të organizuara dhe të mbështetura, që synojnë dobësimin e besimit në institucione, çorientimin e debatit publik dhe krijimin e pasigurisë tek qytetarët.

“Kosova është e përkushtuar që të avancojë në këtë drejtim. Po punojmë për të përforcuar komunikimin tonë institucional, të përmirësojmë bashkërendimin dhe të mbështesim një mjedis ku informacioni i saktë dhe gazetaria e përgjegjshme mund të lulëzojnë, mund të zhvillohen tutje. Njëkohësisht, e kuptojmë që rezilienca afatgjatë varet nga një shoqëri që është e angazhuar në mënyrë kritike dhe e kuptoj që kjo konferencë do të kontribuojë në mënyrë kuptimplote”, tha Konjufca.

Ai shtoi se këto sfida janë pjesë e një vazhdimësie më të gjerë që prek reziliencën e demokracive në gjithë rajonin, duke nënvizuar se ndërtimi i qëndrueshmërisë kërkon një përpjekje gjithëpërfshirëse që bashkon institucionet publike, mediat e pavarura, shoqërinë civile dhe vetë qytetarët.

Të ngjajshme

Të fundit