6.8 C
Skopje
E hënë, 28 Tetor, 2024

Kosovë / 11 Korriku shpallet Ditë Përkujtimi për gjenocidin në Srebrenicë

Kryeministri Albin Kurti e ka kualifikuar vendimin si “një veprim fisnik dhe i duhur në emër të Kosovës”. “Është veprim… i universales sonë njerëzore dhe i dëshirës sonë për paqe, që të mos harrohet e të mos përsëritet më gjenocidi, as në Bosnje, e as në Kosovë, dhe askund tjetër në rajonin tonë dhe në botë”, ka thënë ai.

Njëmbëdhjetë korriku do të shënohet për çdo vit në Kosovë si Ditë e Përkujtimit për gjenocidin në Srebrenicë të Bosnjë-Hercegovinës, pas një vendimi që ka marrë Qeveria në mbledhjen e mbajtur të mërkurën.

Duke e hapur mbledhjen me një minutë heshtje për 8000 burrat dhe djemtë myslimanë që në 11 korrikun e vitit 1995 janë ekzekutuar nga forcat serbe të Bosnjës në masakrën më të madhe në Evropë që pas Luftës së Dytë Botërore, zyrtarë të Qeverisë bënë të ditur se vendimi është marrë bazuar në rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB), të miratuar më 23 maj të këtij viti.

Kryeministri Albin Kurti e ka kualifikuar vendimin si “një veprim fisnik dhe i duhur në emër të Kosovës”.
“Është veprim… i universales sonë njerëzore dhe i dëshirës sonë për paqe, që të mos harrohet e të mos përsëritet më gjenocidi, as në Bosnje, e as në Kosovë, dhe askund tjetër në rajonin tonë dhe në botë”, ka thënë ai. “Përkujtojmë me dhembje 8372 burrat e djemtë e Srebrenicës, të vrarë dhe të zhdukur nga Serbia, në masakrën më të madhe të ndodhur në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore”, ka thënë ai.

Udhëheqësi i Qeverisë ka theksuar me këtë rast se vetëm katër ditë para shënimit të përvjetorit të gjenocidit të Srebrenicës, pjesëtarë të Forcave të Armatosura të Serbisë, përfshirë kadetë e veteranë të Akademisë Ushtarake në Beograd, gjatë fundjavës kanë parakaluan në kuadër të një parade në Prijedor, ku ndodhet qendra përkujtimore për viktimat e gjenocidit në Srebrenicë, pa leje dhe pa pëlqimin e shtetit të Bosnjë-Hercegovinës.

“Ndërkaq ne sot po i bashkohemi memorializimit të 11 korrikut, si ditë e përkujtimit të gjenocidit në Srebrenicë, bazuar edhe në rezolutën që e kemi miratuar në Kuvendin e Kosovës, që dënon gjenocidin në Srebrenicë, në rezolutën përkatëse të Parlamentit Evropian, e në vijim të rezolutës që u votua në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara më 23 maj sivjet”, ka thënë Kurti.

Zëvendëskryeministrja, Emilija Rexhepi, e cila i përket komunitetit boshnjak që jeton në Kosovë, e ka vlerësuar vendimin e marrë nga Qeveria.

“Le të jetë kjo ditë një kujtesë e përhershme e vuajtjes dhe e pikëllimit tonë të përbashkët, forcës sonë për të ndërtuar një të ardhme më të ndritur dhe përkushtimit tonë për ruajtjen e së vërtetës, paqes, drejtësisë dhe të drejtave të njeriut”, ka thënë ajo.

E ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, i cili i përket komunitetit serb, ka kërkuar që për krime të luftës dhe për gjenocid të mos fajësohet një popull i tërë, porse vetëm autorët veç e veç.

“Është e rëndësishme të thuhet se kriminelët dhe gjenocidi kanë emrat dhe mbiemrat e tyre dhe nuk duhet të përgjithësohen për një popull të caktuar, ose një vend të caktuar, por mbi autorët individualë që e bënë këtë, duke mos menduar as për viktimat dhe as për njerëzit e tyre”, ka thënë Rashiq.

Ekzekutimi në Srebrenicë i 8000 burrave dhe djemve myslimanë të paarmatosur nga forcat serbe të Bosnjës është njohur si gjenocid nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) në vitin 2007. Në vendim, GJND-ja ka specifikuar se gjenocidi në Srebrenicë, i cili është kryer në kohën kur qyteti ka qenë zonë e mbrojtur e OKB-së, është kryer nga Ushtria e Republikës Sërpska, teksa për mosparandalimin e gjenocidit e gjeti fajtore Serbinë, të cilën e fajësoi edhe se ka shkelur obligimin për të ndëshkuar kryerësit e gjenocidit.

Në vitin 2021, Kuvendi i Kosovës e pati miratuar një rezolutë që e dënoi gjenocidin. Në majin e sivjetmë, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së e shpalli 11 korrikun si Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë.

Të ngjajshme

Të fundit