10.8 C
Skopje
E martë, 23 Prill, 2024

Kovaçevski-Donev: Korridori 8 hap rrugë të reja europiane për transportin hekurudhor

Rehabilitimi dhe punimet  e Korridorit 8, hekurudha që lidh Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe Republikën e Bullgarisë, po bëhen realitet. Me bashkëpunim të përkushtuar ndërtojmë të ardhmen tonë të përbashkët, ofrojmë mundësi për ekonominë, bashkësinë e biznesit, investojmë në një lidhje hekurudhore moderne funksionale, investojmë në lidhjen e të gjithë rajonit.

Këtë e bëri të ditur sot kryeministri Dimitar Kovaçevski në vazhdimin e ndërtimit të hekurudhës për në Bullgari, në vendin Shupli Kamen afër Kumanovës, ku morën pjesë kryeministri i Bullgarisë Galab Donev, zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive Artan Grubi, ministri për Transport dhe Lidhje Blagoj Boçvarski, drejtori i NP “HRMV Infrastruktura” Hari Lokvenec, ambasadori i Delegacionit të BE-së, Dejvid Gir dhe drejtori i zyrës së Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Andi Aranitasi.

Ky investim i Maqedonisë së Veriut hap rrugë të reja evropiane për transportin hekurudhor, vendos një lidhje rajonale me portet e Burgasit dhe Varnës në Bullgari dhe portin e Durrësit në Shqipëri, i cili është i një rëndësie të jashtëzakonshme për ekonominë tonë, por edhe në përgjithësi për bashkëpunimin në rajon në tërësi, si dhe bashkëpunimi i rajonit me rajonet e tjera në Evropë.

Kjo krizë ekonomike energjetike me të cilën po përballemi, theksoi kryeministri, na e ka bërë të qartë se sa i rëndësishëm është bashkëpunimi dhe lidhja rajonale dhe natyrisht fqinjësia e mirë. Kjo hekurudhë e shumëpritur, tha ai, pres që përveç  zhvillimit të përshpejtuar ekonomik të vendit dhe rajonit, të kontribuojë në përmirësimin e lidhjes rajonale dhe bashkëpunimin rajonal.

Kryeministri bullgar Galab Donev, në fillim të ndërtimit të pjesës lindore të Korridorit 8 hekurudhor, tha se është i rëndësishëm për të tre vendet, si për Bullgarinë, ashtu edhe për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe se padyshim që do të kontribuojë në vlerë të shtuar në zhvillimin e të gjithë rajonit tonë.

“Korridori 8 ishte dëshira e shumë gjeneratave në të dy anët e kufirit si një lidhje kyçe mes qytetarëve dhe sektorit të biznesit të tre vendeve Bullgaria, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria”, deklaroi Donev.

Është kënaqësi që një nga këto projekte po fillon tani, me ndihmën e Bashkimit Evropian. Viti në vazhdim do të jetë i mbushur me punime infrastrukturore, por edhe do të përmirësojë cilësinë e jetës së njerëzve”, tha zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, Artan Grubi.

Ai tha se do të ketë punë për të gjithë dhe uroi punë të suksesshme dhe përfundim të plotë të hekurudhës në një kohë të shkurtër.

Sipas ministrit të Transportit dhe Lidhjeve Bllagoj Boçvarski, kjo paraqet hapjen e një kapitulli të ri në ndërtimin e infrastrukturës maqedonase dhe se vizioni i një shteti evropian nuk është më dëshirë, sepse, siç tha ai, ky projekt është pjesë e perspektivës evropiane për zhvillimin dhe prosperitetin e shtetit.

“Suksesi është i përbashkët, treguam këmbëngulje, vendosmëri dhe po e fillojmë investimin më të madh në infrastrukturën hekurudhore në Maqedoninë e pavarur që nga viti 1991 e deri më sot, në vlerë prej 200 milionë euro”, thotë Boçvarski.

Euroambasadori Dejvid Gir tha se kjo është një nismë vërtet strategjike që do të ndihmojë në promovimin e tregtisë rajonale, zvogëlimin e kohës së udhëtimit dhe inkurajimin e rritjes së qëndrueshme ekonomike që do të sjellë përfitime të mëdha për qytetarët dhe bizneset në rajon.

“Nisma do të ndihmojë praktikisht përpjekjet tona për marrëdhënie të mira fqinjësore dhe për arritjen e synimeve klimatike dhe ndotjen. KE dhe BERZH do të investojnë më shumë se një miliard euro në zgjerimin e linjës hekurudhore nga Maqedonia e Veriut në Bullgari dhe ky është deri tani investimi më i madh që BE-ja ka bërë në këtë vend”, deklaroi Gir.

Andi Aranitasi nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim theksoi se hekurudha është një nga prioritetet kryesore të BERZH-it në Ballkanin Perëndimor dhe se do të vazhdojnë me investime të ngjashme edhe në të ardhmen.

“BERZH është financuesi më i madh për Maqedoninë e Veriut dhe deri më tani janë dhënë më shumë se 1.1 miliardë euro, por hekurudha është në zemrën tonë dhe deri më tani janë dhënë 250 milionë euro dhe do të japim 100 milionë të tjera për pjesën nga Kriva Pallanka deri në kufirin me Bullgarinë, ndërsa do të mbështesim edhe ndërtimin e pjesës perëndimore të Kërçovës”, tha Aranitasi.

Rindërtimi përfshin punën në dy pjesët e para nga tre seksionet e parashikuara në anën lindore të Korridorit hekurudhor 8, me një gjatësi totale prej 88.2 kilometra (nga Kumanova në Bellakovcë – 31 km, nga Bellakovca në Kriva Pallankë – 34 dhe nga Kriva Pallanka në kufirin me Bullgarinë – 24 kilometra).

“Seksioni Bellakovcë – Kriva Pallankë po ndërtohet me ndihmën financiare të BE-së të ofruar përmes Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor (VBIF). Granti i financuar nga BE-VBIF prej 75 milionë euro, i plotësuar me një kontribut kombëtar prej 1 milionë eurosh, është dhënë për ta afruar këtë seksion hekurudhor me standardet moderne. Punimet do të kryhen nga tetori i vitit 2022 deri në fund të vitit 2025 dhe përfshijnë 5.5 kilometra tunele, ura hekurudhore, mbikalime dhe nënkalime, stacione dhe stenda hekurudhore, si dhe një sistem të ri sinjalizimi dhe telekomunikacioni. Një grant shtesë i financuar nga BE-ja prej 210 milionë euro është planifikuar për përfundimin e pjesës lindore të korridorit hekurudhor 8 deri në kufirin me Bullgarinë”, informoi Zyra e BE-së në Shkup në prag të aktiviteteve të sotme.

Ndërtimi i hekurudhës drejt Bullgarisë ka filluar në vitin 1994, prej kur janë ndarë para nga buxhetet e shtetit deri në vitin 2004, kur për herë të parë u ndërprenë aktivitetet. Pas një ndalese gati dhjetëvjeçare të punimeve ndërtimore, në mars të vitit 2014 filloi rikonstruksioni i tuneleve dhe urave të ndërtuara dhe ndërtimi i seksioneve të reja në përputhje me projektin e seksionit të parë. Me marrëveshjen me kontraktorin e atëhershëm – gjerman “Vibe”, ishte paraparë që hekurudha të ndërtohej deri në shtator të vitit 2017, por për shkak të problemeve gjatë kryerjes së punëve, kryesisht të natyrës pronësore juridike, u nënshkrua ankesë me afat për ndërtim deri në shkurt të vitit 2020, pas së cilës në qershor të vitit 2020, punimet u ndërprenë me 54 për qind të përfunduara dhe shteti shpalli procedurë arbitrazhi. Në shkurt të vitit të kaluar, NP HM Infrastruktura, përmes Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, shpalli tender të ri në të cilin kombinoi dy seksionet e para. Procedura e tenderit përfundoi me përzgjedhjen e kontraktorëve të rinj “Gylermak” dhe “Shtrabag” dhe nënshkrimin e kontratës në korrik të këtij viti.

Të ngjajshme

Të fundit