12.8 C
Skopje
E enjte, 10 Tetor, 2024

Ku do të përfundojnë 350 milionë eurot e Qeverisë !?

Qeveria ka njoftuar gjatë ditës së djeshme se do të ndajë rreth 350 milionë euro mjete financiare për të përballuar krizën energjetike dhe dimrin që po vjen. Por, një shumë e tillë e parave duket se nuk është e mjaftueshme, sepse vendi nuk mbahet vetëm me ndihma për rastet sociale dhe pensionistët, por duhet të ketë strategji se si të mbajë gjallë ekonominë. Paralajmërimet se mund të mbyllen fabrika dhe mund të mbeten pa punë mbi mijëra qytetarë, janë alarmante dhe tregojnë se këto masa janë aspak të mjaftueshme.

Ku do shkojnë 350 milionë euro që do i ndajë Qeveria!

Qeveria e Maqedonisë së Veriut në seancën e djeshme ka vendosur që të ndajë 350 milionë euro për përballimin e krizës energjetike dhe të çmimeve të larta. Me këto mjete mbështetja totale për tejkalim më të lehtë të krizës në të gjitha sferat deri më tani arrin në 750 milionë euro.

Ndihma financiare do të jetë në dispozicion për të gjitha kategoritë e rrezikuara të qytetarëve dhe pensionistët. Lehtësimi i aksesit në kredi për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Shkollat fillore dhe të mesme shkojnë në tregun e rregulluar të energjisë elektrike.

Do të ndahen kuponë me ndihmë financiare prej tre mijë denarëve në katër muajt e ardhshëm për kategoritë e rrezikuara, rastet sociale dhe si dhe për pensionistët, që konsiderohen se janë rreth 42 mijë qytetarë, e për të cilët do të ndahen mbi 8 milionë euro.

Në 4 muajt e ardhshëm do të ndahen nga 1.500 denarë në muaj për pensionistët që marrin deri në 11.525 denarë (ose në total 6000 denarë) , e në këtë masë përfshihen mbi 91.600 pensionistë. Në të njëjtën kohë ndihmë direkte financiare prej gjithsej 3.000 denarë do të marrin pensionistët kanë pension prej 11.525-14.000 denarë, përkatësisht mbi 66.000 pensionistë. Për këtë masë janë ndarë mbi 12.2 milionë euro të cilat do të fillonin të ndahen nga pensioni i nëntorit.

Në tregun e rregulluar të energjisë elektrike janë vendosur mbi 470 shkolla fillore dhe të mesme në vend, të cilat do të paguajnë fatura shumë më të ulëta për energjinë e konsumuar dhe shteti do të ndihmojë me një milion euro dhe do të ketë ndihmë për institucionet publike shëndetësore që do të blejnë direkt energjinë elektrike nga ESM.

Paratë e qeverisë vetëm sa për të mbijetuar

Duket se qeveria kryesisht synimin e ka vënë në kujdesin ndaj kategorive më të rrezikuara e që duket se kjo nuk mjafton për të pasur një qetësi në mbajtjen nën kontroll të mundësisë për varfëri ekstreme.

Rritja e inflacionit është shqetësim i madh për çdonjërin dhe kjo mund të përkeqësoj situatën. Enti Shtetëror i Statistikave njoftoi se kostoja e jetesës në shtator të këtij viti krahasuar me shtatorin e vitit të kaluar është rritur për 18,7 për qind dhe çmimet me pakicë për 14,7 për qind. Qeveria u përpoq të frenonte rritjen e inflacionit duke vendosur marzhe në disa prej produkteve bazë, listë e cila u zgjerua edhe me produktet e qumështit.

Qeveria ka shpallur masa të synuara për industritë që prodhojnë produkte ushqimore bazë për t’i ndihmuar ato duke subvencionuar energjinë dhe energjinë që përdorin.Qeveria njoftoi se presin që një pjesë e grupit të masave kundër krizës, që kërkon pëlqimin e Kuvendit, të kalojë dhe të mos ketë pengesa nga opozita. Por, ajo që duket në të vërtetë është se me këto para vetëm po mundohet të mbahet gjallë fryma e fundit e qytetarëve.

Fokusi të drejtohet edhe ndaj kompanive private

Qeveria duhet të ndajë masat kundër krizës për të ndihmuar kompanitë mikro, të vogla dhe të mesme. Edhe pse është deklaruar se janë parashikuar afërsisht 5 milionë euro në linjë direkte kreditore për të mbështetur likuiditetin e këtyre ndërmarrjeve, kjo do të thotë se kompanitë që kanë probleme me mjetet financiare, do të duhet të marrin borxhe që të mbulojnë humbjet ose të ballafaqohen me problemet, në të kundërtën do të shkojnë në falimentim. Me borxh, të mbulosh borxhin është fatkeqësia më e madhe që iu ndodh kompanive dhe në këtë mënyrë dështimi është shumë i dukshëm.

Kriza energjetike rrezikon të lë pa punë afër 9 mijë punëtorë në industrinë e prodhimit nëse kompanitë nuk arrijnë të menaxhojnë ashtu siç duhet krizën që po vjen. Kompanitë e mëdha, të cilat janë në tregun e lirë të energjisë elektrike, marrin pjesë me 10 deri në 15 për qind të Bruto Prodhimit Vendor.

Si rrjedhojë e krizës energjetike me të cilën po përballet vendi, nga Unioni i Industrisë, Energjisë dhe Minierave veç se më kanë ngritur alarmin duke njoftuar se dy kompani nga sektori privat kanë detyruar punëtorët të shkojnë në pushim edhe atë është Euronickel me rreth 850 punëtorë dhe miniera e bakrit dhe e arit Borov e cila ka diku rreth 730 punëtorë. Kjo do të thotë se diku rreth 1500 punonjës janë konkretisht në pushim të dhunshëm dhe marrin vetëm 70 për qind të pagës.

Qeveria të gjejë zgjidhje para se të ndodhin falimentimet

Në dukje të parë me vendimet e fundit të qeverisë qetësohen qyetarët, sidomos ata që gëzohen se do të marrin nga tre mijë denarë më shumë ndihmë sociale, por realiteti është më i hidhur.

Nëse i shikojmë të dhënat e paraqitura, duket se kriza mund të jetë më e madhe siç në realitet duket dhe rastet sociale mund të rriten shumë shpejt. Mjafton të mbyllen disa fabrika, e këta punëtorë që deri dje kishin të ardhura të sigurta, të mbesin në rrugë, si raste sociale.

Qeveria ende nuk ka vendosur të subvencionojë kompanitë e tilla që janë më të prekura nga kriza energjetike në këtë periudhë të vështirë dhe që do të vështirësohet gjendja e tyre edhe më shumë në të ardhmen.

Prandaj, nëse fokusi nuk drejtohet tani edhe nga kompnaitë private, duke u gjetur atyre gaz të lirë dhe burime tjera energjetike, atëherë këta komponi do të detyrohet të mbyllen dhe të gjithë punëtorët t’i lënë në rrugë. Kjo do të çojë në një kolaps total dhe prandaj është e nevojshme që qeveria t’i prijë zgjidhjeve para se të ndodhë problemi, dhe jo pasi të mbetin punëtorët në rrugë.

Të ngjajshme

Të fundit