Shkup, 7 shkurt – Pas postimit të djeshëm “Foli shqip, o Taj”, i cili nxiti reagime të shumta në opinionin publik dhe u interpretua si qëndrim në mbështetje të gjuhës shqipe, sot ambasadori i Shqipërisë, Denion Meidani, ka publikuar një fotografi me librin “Rrethuar me idiotë” të autorit Thomas Erikson. Në përshkrimin e fotos, Meidani ka shkruar vetëm fjalën “sabër”, që në shqip nënkupton durim, shkruan gazeta KOHA.

Megjithatë, sikurse dje, edhe sot nuk kanë munguar sulmet e hapura ndaj ambasadorit Meidani. Madje, ato vijnë edhe nga krerët e lartë të VLEN-it, e veçanërisht nga përfaqësues të Alternativës. Më i ashpër në reagim duket Zeqirija Ibrahimi, ish-kryetari i Alternativës, i cili një status të ri e ka ilustruar me kopertinën e librit “Demonët” të Dostojevskit.
“Ra provimi i jurisprudencës e u pamë! Pas disa viteve, qëkur e kishin gënjyer kryeministrin e Shqipërisë se shqipja në RMV është bërë zyrtare, më në fund edhe Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Shkup e mori vesh se shqipja te ne nuk qenka zyrtare dhe se një provim i jurisprudencës në shtetin tonë nuk mbaheshka edhe shqip për së paku dy dekada me radhë. Asnjëherë nuk është vonë për ta kuptuar të vërtetën”, shkruan Ibrahimi, ndërsa një status tjetër e ka ilustruar me kopertinën e librit “Demonët” të Dostojevskit.

“‘Demonët’ (shqip është përkthyer ‘Djajtë’) dhe ‘Idioti’ janë vepra të detyrueshme për dashamirët e romanit klasik. Por, jo vetëm”, shkruan Ibrahimi i Alternativës.
Jo vetëm Ibrahimi, por edhe aktivistë dhe figura të VLEN-it, konkretisht të Alternativës, kanë nisur sulme të koordinuara ndaj ambasadorit Meidani. Në të njëjtën kohë, nuk mungojnë as reagimet mbështetëse, ku vlerësohet se ambasadori shqiptar po bën madje punën e përfaqësuesve të VLEN-it.
Në mbrojtje të ambasadorit Meidani ka dalë edhe sekretari i përgjithshëm i BDI-së, Arbër Ademi.
“Kur s’ke guxim t’i thuash asnjë fjalë ministrit tënd, është më lehtë të bësh filozofi me ‘e morëm vesh/s’e morëm vesh’. Përfaqësuesit e Alternativës janë të zëshëm vetëm kur nuk rrezikojnë asgjë. Kur përballë kanë Ministrin e Drejtësisë dhe një shkelje të qartë të Kushtetutës, papritur u humbet gjuha, ulet zëri dhe zhduket parimi”, thotë Ademi.
“Nëse vërtet duan të jenë korrektë, le ta përkrahin publikisht Bekim Salin në konstatimin e tij të qartë se Ministri i Drejtësisë nuk e respekton Kushtetutën, duke e detyruar atë që ta respektojë atë”, shton më tej Ademi.
“Nëse duan edhe më shumë precizitet ligjor e jo retorikë boshe, Alternativa është e ftuar ta votojë propozimin e BDI-së. Aty nuk ka mjegull, as dilema gjuhësore, por zgjidhje konkrete. Dhe shpresojmë që kësaj here Afrim Gashi ta fusë në procedurë, e jo të përfundojë si ligji i Qeverisë së kaluar që rregullonte këtë çështje, që u hoq nga rendi i ditës pa asnjë shpjegim”.
“Ironitë janë të lira. Kuraja politike, jo për këdo”, shkruan Ademi.

Megjithatë, sipas vlerësimeve në opinion, pikërisht Zeqirija Ibrahimi po manipulon publikun kur pretendon se certifikatat dhe provimi i jurisprudencës nuk kanë qenë në gjuhën shqipe. Në fakt, janë publikuar edhe certifikata të dhëna në shqip në kohën kur ministër i Drejtësisë ishte Krenar Lloga.
Dhënia e certifikatave dhe mbajtja e provimit realizoheshin edhe në gjuhën shqipe, në bazë të Ligjit për gjuhët, i cili aktualisht, sipas kritikëve, nuk respektohet nga ministri aktual i Drejtësisë, Igor Filkov. Në këtë kontekst, vlerësohet se për Ibrahimin është më e lehtë të sulmojë ambasadorin shqiptar sesa partnerin e koalicionit, ministrin Filkov nga ZNAM-ci. (koha.mk)
