Një sqarim rreth vdekjes së Mentor “Tee” Palokaj, nga kushëriri i tij Lorenc Palokaj
Kam pasur fatin që tri javët e fundit të jetës së tij t’i kaloj pranë tij. Pesë ditë para se të ndodhte kjo ngjarje, gjatë një bisede, ai më tha se i ndjente këmbët pak të fryra. E tha këtë në mënyrë të tërthortë, pa e bërë temë, dhe unë mendova se ishte diçka e zakonshme, si një lodhje e momentit apo një shqetësim jo serioz. Në vijim, ai kurrë nuk e përmendi më këtë problem, as me mua dhe as me vëllain e tij.
Një ditë para vdekjes, më përcolli në aeroport, dhe atë ditë diçka nuk ishte si zakonisht. U falëm dy herë së bashku, dhe mënyra se si më shikoi atë ditë ishte ndryshe. Ishte një shikim i thellë, sikur ta dinte se ajo do të ishte hera e fundit që do të takoheshim. Gjatë gjithë udhëtimit, ndjeva sikur më shoqëroi me vështrimin e tij.
Në këto ditët më të errëta të jetës sime, morëm vesh nga një i afërm i ti se ai kishte qenë te mjeku dhe rezultatet nuk kishin dalë mirë në lidhje me zemrën e tij. I kishin thënë se duhej të shkonte në spital. Por kushdo që e ka njohur Mentorin, e di që ai kurrë nuk do t’i nënshtrohej kësaj situate. Ai e jetoi jetën sipas mënyrës së tij, pa i diktuar askush se si ta jetonte, madje as vdekja nuk mundi t’ia diktonte ditën e fundit të jetës.
Duket qartë se ai e kishte ndjerë diçka në ditët e fundit, por kishte zgjedhur ta mbante për vete, duke mos dashur të shqetësonte të tjerët. Shikimi i tij i fundit dhe mënyra si të përshëndeti në aeroport duket sikur la pas një mesazh të heshtur, një lamtumirë të pashprehur me fjalë, por të ndjerë thellë.
Është e vështirë të pranosh një humbje të tillë, veçanërisht kur e kupton pas ngjarjes se kishte shenja që nuk i lexova plotësisht në kohë.
Nuk munda deri tani të gjej se te cili doktor ka qenë dhe çfarë diagnoze ka pasur Mentori muajt e fundit. Dëshira ime më e madhe është ta di këtë për ta kuptuar situatën dhe për të kuptuar se çfarë ka ndjerë në ditët e fundit.
“Jo, unë jam 1000% i sigurt që shkaku i vdekjes s’ka qenë qysh po spekulojnë mediat e pandërgjegjshme, po kan qen probleme shëndetsore. Krejt ata që e kanë njoftë, e dinë çka po them.”